Zanafilla 39
39
Jozefi dhe gruaja e Potifarit
1Jozefin e sollën në Egjipt. Potifari, një egjiptian, oborrtar i faraonit e komandant i rojave, e bleu Jozefin nga dora e ishmaelitëve që e kishin sjellë aty. 2Zoti ishte me Jozefin dhe atij i shkonte mbarë. Ai banoi në shtëpinë e zotërisë së tij egjiptian. 3Potifari e pa se Zoti ishte me të e ia sillte mbarë në çdo gjë që bënte. 4Jozefi gjeti hir para Potifarit e u bë shërbëtori i tij. Ky e caktoi kujdestar të shtëpisë e gjithçka që kishte e la në dorë të Jozefit. 5Qëkurse Potifari e vuri kujdestar të shtëpisë e të gjithçkaje të tijën, Zoti e bekoi shtëpinë e egjiptianit për shkak të Jozefit. Zoti i bekoi çdo gjë që kishte në shtëpi e në fushë. 6Potifari ia la në dorë Jozefit gjithçka që kishte e nuk shqetësohej më për asgjë, përveç bukës që hante.
Jozefi ishte i bukur e i pashëm. 7Pas këtyre ngjarjeve, gruaja e zotërisë së tij, ia vuri syrin Jozefit e i tha: «Fli me mua!». 8Jozefi nuk pranoi e i tha: «Falë meje, imzot nuk shqetësohet më për shtëpinë e gjithçka që ka ma ka lënë në dorë. 9Askush në këtë shtëpi nuk është më i madh se unë. Ai nuk më ka mohuar asgjë përveç teje, sepse ti je gruaja e tij. Si të bëj një gjë kaq të keqe e të mëkatoj kundër Perëndisë?». 10Ndonëse ajo i fliste përditë, Jozefi nuk pranoi të shtrihej e të flinte me të. 11Por një ditë ai hyri në shtëpi për të bërë punët e veta dhe në shtëpi nuk kishte njeri. 12Atëherë ajo e kapi prej rrobave e i tha: «Fli me mua!». Ai ia la rrobat në dorë e iku e doli përjashta. 13Kur pa se Jozefi ia la rrobat në dorë e iku përjashta, 14thirri njerëzit e shtëpisë e u tha: «Shikoni, im shoq na solli një hebre që tallet me ne. Ai erdhi tek unë që të flinte me mua, por unë bërtita me të madhe. 15Kur pa se e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku e doli përjashta». 16Ajo i mbajti rrobat e tij pranë, derisa i zoti erdhi në shtëpi. 17Pastaj i tha të njëjtën gjë: «Skllavi hebre që na solle, erdhi tek unë që të më ngacmojë. 18Por kur e ngrita zërin e thirra, më la rrobat dhe iku përjashta».
19Kur i zoti dëgjoi fjalët e të shoqes që thoshte: «Kështu ma bëri shërbëtori yt», u zemërua. 20E mori Jozefin dhe e futi në burg, aty ku mbaheshin të burgosurit e mbretit. Jozefi mbeti në burg, 21por Zoti ishte me të. Zoti pati mëshirë për të, prandaj komandanti i burgut e mori me sy të mirë. 22Ky ia besoi Jozefit të gjithë të burgosurit që ishin në burg e ai u bë përgjegjës për çdo gjë që bëhej në atë vend. 23Komandanti nuk kujdesej më për asgjë nga ato që kishte lënë në dorë të Jozefit, sepse Zoti ishte me të dhe çdo gjë që Jozefi bënte, Zoti ia sillte mbarë.
Currently Selected:
Zanafilla 39: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020