YouVersion Logo
Search Icon

Ezekieli 30

30
Vajtimi mbi Egjiptin
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, profetizo e thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti:
vajtoni: vaj për atë ditë!
3Se afër është dita,
afër është dita e Zotit,
ditë e zymtë do të jetë dita e kombeve.
4Shpata do të bjerë kundër Egjiptit,
do ta zërë ankthi Kushin,
kur të bien të therurit në Egjipt.
Pasuritë e tij do të rrëmbehen,
do të shkërmoqen themelet e tij.
5Kushi, Puti, Ludi, gjithë Arabia e Kubi, të gjithë popujt e tokës së besëlidhjes do të bien prej shpatës bashkë me ta.
6Kështu thotë Zoti:
do të bien mbështetësit e Egjiptit,
do të marrë tatëpjetën fuqia e tij e krekosur.
Nga Migdoli deri në Sieneh prej shpatës do të bien,
kumton Zoti im, Zoti.
7Do të shkretohen në mes të vendeve të shkretuara,
qytetet e tij do të jenë mes qyteteve të rrënuara.
8Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti,
kur t'i kem vënë zjarrin Egjiptit,
kur të jenë thyer të gjithë ndihmësit e tij.
9Atë ditë do të dalin prej meje lajmëtarë nëpër anije, për ta trandur Kushin e qetë. Do t'i zërë ankthi në ditën e Egjiptit, se, ja, po vjen.
10Kështu thotë Zoti im, Zoti:
Do t'ia shuaj pasurinë Egjiptit
me anë të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë.
11Ai dhe populli i tij, më mizori ndër kombe,
do të sillen për ta shkretuar vendin.
Do të rrokin shpatat kundër Egjiptit
e do ta mbushin tokën me të therur.
12Do ta thaj Nilin
e do t'ua shes tokën të ligjve.
Do ta shkretoj vendin me gjithë ç'ka në të
me anë të të huajve.
Unë, Zoti, kam folur.
13Kështu thotë Zoti im, Zoti:
do t'i shkatërroj idhujt
e do t'i shuaj shëmbëllesat e Memfisit.
Nuk do të ketë më udhëheqës nga dheu i Egjiptit
e do t'i shtie tmerrin tokës së Egjiptit.
14Do ta shkatërroj Patrosin,
do t'i vë zjarrin Coanit
e do të zbatoj gjykimin në No.
15Do ta zbraz zemërimin në Sin, fortesë e Egjiptit,
do ta këpus turmën e Nosë.
16Do t'i vë flakën Egjiptit,
Sinin do ta zënë dhimbje pas dhimbjesh,
Noja do të çahet,
Memfisin do ta zënë armiqtë gjatë ditës.
17Të rinjtë e Onit e të Pibesetit
do të bien prej shpatës
dhe gratë do të shkojnë në skllavëri.
18E errët do të jetë dita në Tahpanhes,
kur ta copëtoj atje zgjedhën e Egjiptit.
Atëherë do të marrë fund fuqia e tij e krekosur,
reja do ta mbulojë dhe bijat do t'ia çojnë në skllavëri.
19Do të zbatoj gjyqin në Egjipt
e do ta marrin vesh se unë jam Zoti».
Kundër mbretit të Babilonisë
20Në vitin e njëmbëdhjetë, në muajin e parë, më shtatë të atij muaji, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 21«Bir i njeriut, ia theva krahun faraonit, mbretit të Egjiptit. Ja, nuk është lidhur për shërim. Nuk është shtrënguar me garza për ta forcuar, që të mbajë shpatën. 22Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: ja ku jam kundër faraonit, mbretit të Egjiptit. Do t'ia thyej krahët, të fortin dhe të thyerin, që shpata t'i bjerë nga dora. 23Do t'i shpërndaj egjiptianët ndër kombe e do t'i hapërdaj ndër vende. 24Do t'ia forcoj krahun mbretit të Babilonisë e do t'i vë në dorë shpatën time. Do t'ia thyej krahët faraonit dhe ai do të rënkojë para tij, siç rënkon i plagosuri. 25Do t'ia forcoj krahët mbretit të Babilonisë, ndërsa faraonit do t'i lëshohen krahët. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, pasi t'ia kem vënë shpatën në dorë mbretit të Babilonisë e pasi ta shtrij drejt dheut të Egjiptit. 26Do t'i shpërndaj egjiptianët ndër kombe e do t'i hapërdaj ndër vende. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti».

Currently Selected:

Ezekieli 30: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in