YouVersion Logo
Search Icon

Ezekieli 29

29
Kundër Egjiptit
1Në vitin e dhjetë, në muajin e dhjetë, më dymbëdhjetë të atij muaji, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, sillu kundër faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe profetizo kundër tij e kundër mbarë Egjiptit. 3Fol e thuaji se kështu thotë Zoti im, Zoti:
ja ku më ke, kundër teje, o faraon,
mbreti i Egjiptit,
përbindësh i madh shtrirë mes rrjedhave të tij,
që ke thënë: “Nili është i imi, e krijova për vete”.
4Do t'i mbërthej me ganxha nofullat e tua,
do të t'i ngjis pas luspave peshqit e rrjedhave të tua.
Do të të ngre nga mesi i rrjedhave të tua
bashkë me peshkun e rrjedhave
që do të të ngjitet pas luspave.
5Do të të dëboj në shkretëtirë,
ty dhe tërë peshqit e rrjedhave të tua.
Do të biesh në fushë të hapur
e nuk do të mblidhesh, as do të bashkohesh.
Do të të bëj ushqim për egërsirat e dheut
e për zogjtë e qiellit.
6Do ta marrin vesh të gjithë banorët e Egjiptit se unë jam Zoti.
Se ti ishe shkop kallami për shtëpinë e Izraelit. 7Kur të kapën me dorë, u shkërmoqe dhe ua gërvishte supet. Kur u mbështetën te ti, u theve dhe ua përdrodhe ijët. 8Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do të dërgoj shpatën kundër teje e do të zhduk prej teje njerëz e kafshë. 9Dheu i Egjiptit do të bëhet shkretim e rrënim dhe do ta marrin vesh se unë jam Zoti.
Meqë ai tha: “Nili është i imi. Unë e krijova”, 10për këtë, ja ku më ke kundër teje e kundër rrjedhave të tua. Do ta kthej tokën e Egjiptit në djerrinë, shkretim e rrënim nga Migdoli në Sieneh e deri në kufi me Kushin. 11Nuk do të kalojë në të këmbë njeriu, as këmbë kafshe nuk do të kalojë në të. Për dyzet vjet nuk do të banohet. 12Do ta shkretoj tokën e Egjiptit mes vendeve të shkretuara. Qytetet e tij do të jenë të rrënuara për dyzet vjet mes qyteteve të shkretuara. Do t'i hapërdaj egjiptianët nëpër kombe e do t'i përhap nëpër vende të tjera.
13Se kështu thotë Zoti im, Zoti: pas dyzet vjetësh do t'i mbledh egjiptianët prej popujve ku do t'i kem hapërdarë, 14do t'i kthej në dheun e Patrosit, në dheun e prejardhjes së tyre, dhe do të bëhen aty një mbretëri e vogël. 15Do të jetë më e vogla ndër mbretëritë dhe nuk do të krekoset më përmbi kombe. Do t'i bëj të vegjël, që të mos sundojnë ndër kombe. 16Ai nuk do të jetë më siguri për shtëpinë e Izraelit, por kujtesë për fajin e kohës kur u drejtoheshin atyre. Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Zoti vetë».
17Në vitin e shtatëdhjetë e shtatë, në muajin e parë, ditën e parë të atij muaji, fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 18«Bir i njeriut, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e lodhi dhe e kapiti ushtrinë e vet kundër Tirit. Të gjitha kokat janë shogur dhe të gjitha supet janë zhveshur, por nuk kanë marrë shpërblim nga Tiri, as për vete, as për ushtrinë e vet, për mundin që hoqën kundër tij. 19Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, do t'ia jap tokën e Egjiptit Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë. Ai do t'ia marrë pasurinë dhe do të plaçkisë çfarë ka për të plaçkitur. Ky do të jetë shpërblimi për ushtrinë e tij. 20Si shpërblim për mundin që hoqi kundër tij, do t'i jap tokën e Egjiptit, sepse vepruan për mua, kumton Zoti im, Zoti.
21Atë ditë do t'ia rris fuqinë shtëpisë së Izraelit e do të ta hap gojën mes tyre. Kështu do ta marrin vesh se unë jam Zoti».

Currently Selected:

Ezekieli 29: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in