Dalja 8
8
1Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit të shtrijë shkopin mbi lumenj, mbi përrenj e mbi këneta, që të nxjerrë bretkosa mbi tokën e Egjiptit». 2Aroni shtriu dorën mbi ujëra dhe bretkosat dolën e mbuluan tokën e Egjiptit. 3Kështu bënë edhe magjistarët. Me shortitë e tyre nxorën bretkosa mbi tokën e Egjiptit.
4Atëherë faraoni thirri Moisiun e Aronin e u tha: «Lutjuni Zotit, që t'i largojë bretkosat prej meje e prej popullit tim dhe unë do ta lë popullin të shkojë e t'i kushtojë fli Zotit». 5Moisiu iu përgjigj: «Kur dashka madhëria juaj që të lutem për të e për shërbëtorët e popullin e tij, që bretkosat të zhduken prej shtëpive tuaja e të rrinë vetëm në lumë?». 6Faraoni tha: «Nesër!». Pastaj Moisiu i tha: «Si të urdhërosh. Kështu do ta dish se askush nuk është si Zoti, Perëndia ynë! 7Bretkosat do të largohen prej teje, prej shtëpive të tua, prej shërbëtorëve të tu e prej popullit tënd dhe do të rrinë në lumë». 8Atëherë Moisiu e Aroni u larguan nga faraoni. Moisiu iu drejtua Zotit për bretkosat, siç#8.8 të tjerë: që Zoti kishte dërguar i kishte thënë faraonit. 9Zoti bëri siç i kërkoi Moisiu dhe bretkosat ngordhën nëpër shtëpi, oborre e ara. 10Pastaj i mblodhën grumbuj-grumbuj dhe tërë vendi u qelb. 11Kur pa se gjendja u qetësua, faraoni u tregua kokëfortë e nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti.
Ndëshkimi i tretë
12Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Thuaji Aronit të ngrejë shkopin e të godasë dheun e tokës, që të kthehet në mushkonja në tërë tokën e Egjiptit». 13Kështu bënë. Aroni ngriti shkopin dhe goditi dheun e tokës. Atëherë mushkonjat mbuluan njerëz e kafshë. Tërë dheu u shndërrua në mushkonja në mbarë tokën e Egjiptit. 14Edhe magjistarët u përpoqën të nxirrnin mushkonja me shortitë e tyre, por nuk mundën. Mushkonjat mbuluan njerëz e kafshë. 15Atëherë magjistarët i thanë faraonit: «Këtu ka dorë Perëndia!», por faraoni u tregua kokëfortë e nuk i dëgjoi, siç kishte thënë Zoti.
Ndëshkimi i katërt
16 Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu herët në mëngjes, dil para faraonit e, kur ai të shkojë drejt lumit, thuaji: “Kështu thotë Zoti: lëre popullin tim të shkojë të më shërbejë! 17Nëse nuk e lë popullin tim, do të dërgoj një mori mizash kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu, kundër popullit tënd dhe kundër shtëpive të tua. Shtëpitë e egjiptianëve dhe vendi do të mbushen me to. 18Por Goshenin, tokën ku banon populli im, do ta veçoj atë ditë, që të mos ketë mori mizash. Kështu do ta dish se unë, Zoti, jam edhe në këtë vend. 19Do të bëj dallim mes popullit tim e popullit tënd. Kjo shenjë do të ndodhë nesër”». 20Dhe kështu bëri Zoti. Një mori e madhe mizash mbuloi shtëpinë e faraonit dhe shtëpinë e shërbëtorëve të tij. Anekënd Egjiptit toka u shkretua prej tyre.
21Atëherë faraoni thirri Moisiun e Aronin e u tha: «Shkoni e, po në këtë vend, kushtojini fli Perëndisë tuaj!». 22Moisiu iu përgjigj: «E pamundur! Flija që do t'i kushtojmë Zotit, Perëndisë tonë, është e neveritshme për egjiptianët. Nëse kushtojmë flijime të tilla, ata do të na vrasin me gurë, 23prandaj duhet të shkojmë në shkretëtirë për tri ditë udhë. Atje do t'i kushtojmë fli Zotit, Perëndisë tonë, si të na thotë». 24Atëherë faraoni tha: «Nëse nuk shkoni tepër larg, do t'ju lë të shkoni në shkretëtirë, që t'i kushtoni fli Zotit, Perëndisë tuaj. Lutuni edhe për mua!». 25Moisiu i tha: «Ja, sapo të largohem prej teje, do t'i lutem Zotit, që nesër moria e mizave të largohet prej faraonit, prej shërbëtorëve të tij dhe prej popullit të tij. Veçse faraoni të mos tallet sërish duke mos e lënë popullin të shkojë t'i kushtojë fli Zotit».
26Kështu Moisiu u largua nga faraoni e iu lut Zotit. 27Zoti bëri siç i kërkoi Moisiu. Moria e mizave u largua nga faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij. Në atë vend nuk mbeti as edhe një mizë. 28Por edhe kësaj here faraoni u tregua kokëfortë e nuk e la popullin të shkojë.
Currently Selected:
Dalja 8: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020