YouVersion Logo
Search Icon

Dalja 9

9
Ndëshkimi i pestë
1 Zoti i tha Moisiut: «Shko fol me faraonin e thuaji: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë! 2Nëse nuk e lë, por e pengon, 3dora e Zotit do të godasë me murtajë të rëndë bagëtitë e tua në fushë, kuajt, gomarët, devetë, lopët e delet. 4Zoti do të bëjë dallim mes bagëtive të Izraelit dhe bagëtive të Egjiptit, që asgjë të mos e prekë gjënë e izraelitëve. 5Zoti e ka caktuar kohën. Nesër do ta bëjë këtë gjë mbi tokë!”». 6Të nesërmen Zoti e bëri këtë gjë dhe tërë bagëtitë e egjiptianëve ngordhën. Prej bagëtive të izraelitëve nuk ngordhi asnjë. 7Faraoni dërgoi njerëz për të parë dhe ja, asnjë nga bagëtitë e izraelitëve nuk kishte ngordhur. Por faraoni u tregua kokëfortë dhe nuk e la popullin të shkojë.
Ndëshkimi i gjashtë
8Atëherë Zoti i tha Moisiut e Aronit: «Mbushini duart me hirin e furrës dhe Moisiu ta hedhë në ajër para faraonit. 9Një pluhur i imët do të përhapet mbi mbarë tokën e Egjiptit. Atëherë njerëz e kafshë në tërë Egjiptin do të mbulohen me çibanë e lunga». 10Kështu, ata morën hi dhe qëndruan para faraonit. Moisiu e hodhi në ajër dhe njerëzit e kafshët u mbuluan me çibanë e lunga. 11Madje as magjistarët nuk mund të përballeshin më me Moisiun, sepse çibanët i kishin mbuluar edhe ata vetë bashkë me mbarë Egjiptin. 12Por Zoti e ngurtësoi zemrën e faraonit dhe ai nuk i dëgjoi, siç Zoti i kishte thënë Moisiut.
Ndëshkimi i shtatë
13 Zoti i tha Moisiut: «Ngrihu herët në mëngjes, dil para faraonit e thuaji: “Kështu thotë Zoti, Perëndia i hebrenjve: lëre popullin tim të shkojë e të më shërbejë, 14se kësaj here do t'i lëshoj të gjitha gjëmat jo vetëm mbi shërbëtorët dhe popullin tënd, por edhe mbi ty, që ta dish se askush nuk është si unë në mbarë tokën. 15Po të kisha ngritur dorë për të të ndëshkuar me murtajë ty dhe popullin tënd, ti do të ishe zhdukur prej faqes së dheut. 16Megjithatë të kam mbajtur gjallë#9.16 ose: të kam ngritur që të të tregoj forcën time e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. 17E ti ende i kundërvihesh popullit tim dhe nuk e lë të shkojë. 18Ja pra, nesër në këtë kohë do të bëj të bjerë breshër i fortë, një breshër i tillë nuk ka rënë kurrë në Egjipt, qëkurse u formua e deri tani. 19Prandaj, dërgo njerëz të fusin brenda bagëtitë e tua dhe gjithçka ke në fushë, sepse çdo kafshë apo njeri që mbetet jashtë, do ta zërë breshri e do të vdesë”». 20Disa nga shërbëtorët e faraonit që patën frikë nga fjala e Zotit i futën brenda shërbëtorët dhe bagëtitë e tyre, 21por ata që nuk i vunë vesh fjalës së Zotit i lanë shërbëtorët dhe bagëtitë e tyre në fushë.
22Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ngrije dorën drejt qiellit, që të bjerë breshër mbi tërë tokën e Egjiptit, mbi njerëz, mbi kafshë dhe mbi çdo bimë në fushë!». 23Moisiu ngriti shkopin drejt qiellit dhe Zoti bëri që qielli të gjëmojë e të shkreptijë dhe të bjerë breshër mbi tokën e Egjiptit. 24Ra breshër dhe rrufetë çanë qiellin. Një gjë kaq e rëndë nuk ishte parë kurrë në tërë tokën e Egjiptit, që nga fillimet e tij si komb. 25Breshri goditi tërë tokën e Egjiptit, gjithçka që ishte në fushë, njerëz e kafshë. Çdo bimë e fushës u dëmtua dhe çdo pemë e fushës u thye. 26Vetëm në tokën e Goshenit, ku banonin izraelitët, nuk ra breshër.
27Atëherë faraoni thirri Moisiun e Aronin e u tha: «Kësaj here kam bërë faj. Zoti ka të drejtë, ndërsa unë dhe populli im e kemi gabim. 28Lutjuni Zotit, se nuk durohen më breshri dhe gjëmimet e Perëndisë! Do t'ju lë të shkoni, nuk do t'ju mbaj më». 29Moisiu i tha: «Sapo të dal nga qyteti do të çoj duart drejt Zotit. Gjëmimet do të pushojnë, nuk do të ketë më breshër e do ta dish se toka i përket Zotit. 30Por unë e di se as ti e as shërbëtorët e tu nuk e druajnë ende Zotin Perëndi».
31Breshri kishte dëmtuar lirin dhe elbin, sepse në atë kohë elbi kishte nxjerrë kallëza e liri kishte lulëzuar. 32Por gruri e tërshëra nuk ishin dëmtuar, sepse ishin drithëra të vonshëm.
33Kur u largua nga faraoni e nga qyteti, Moisiu çoi duart drejt Zotit. Atëherë breshri dhe gjëmimet e qiellit pushuan dhe as një pikë shiu nuk ra mbi tokë. 34Kur pa se shiu, breshri dhe gjëmimet pushuan, faraoni vijoi të mëkatojë. Ai dhe shërbëtorët e tij u treguan kokëfortë. 35Zemra e tij u ngurtësua dhe nuk i la izraelitët të shkojnë, siç kishte thënë Zoti përmes Moisiut.

Currently Selected:

Dalja 9: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in