YouVersion Logo
Search Icon

Estera (Gr) 4

4
Estera mbron popullin e vet
1Mordakai, pasi mori vesh çfarë kishte ndodhur, shqeu rrobat, u mbështoll me grathore e me hi, doli në mes të qytetit dhe lëshoi një britmë hidhërimi. 2Por, te porta e mbretit u ndal, sepse kush ishte i veshur me grathore nuk mund ta kapërcente portën e mbretit. 3Në të gjitha krahinat, kudo që u shpall urdhri dhe ligji i mbretit, judenjtë bënë gjëmë të madhe, agjëruan, qanë, vajtuan u veshën me grathore dhe shumë fjetën mbi hi. 4Kur shërbëtoret e Esterës dhe eunukët erdhën e i treguan, mbretëresha u trishtua shumë. Ajo i dërgoi Mordakait rroba, që të vishej e të hiqte grathoren, por ai nuk pranoi. 5Pastaj Estera thirri Hatakun, njërin nga eunukët, që mbreti ia kishte vënë në gatishmëri, dhe e urdhëroi të shkonte te Mordakai për të marrë vesh çfarë kishte ndodhur dhe pse po sillej ashtu. 6Hataku shkoi te Mordakai, te sheshi i qytetit, përballë portës së mbretit. 7Mordakai i tregoi çfarë i kishte ndodhur, si dhe për sasinë e argjendit që Hamani kishte thënë se do të derdhte në thesarin e mbretit për rrënimin e hebrenjve. 8I dha edhe kopjen e ligjit të shkruar, që kishte dalë në Shushan për shfarosjen e tyre, që t'ia dëftonte Esterës, ta njoftonte e ta urdhëronte të shkonte te mbreti, për t'i kërkuar hir e për t'iu lutur për popullin e vet. I tha: «Kujto ditët kur s'ishe askushi e u rrite nën kujdesin tim, se Hamani, që është i dyti pas mbretit, ka folur kundër nesh e ka kërkuar vdekjen tonë. Thirri Zotit, foli mbretit për ne e na shpëto nga vdekja». 9Hataku shkoi e i tregoi Esterës fjalët e Mordakait. 10Atëherë Estera e urdhëroi Hatakun t'i thoshte Mordakait: 11«Të gjithë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e di se për çdo burrë a grua që shkon te mbreti përmes oborrit të brendshëm pa u thirrur, ka vetëm një ligj, dënim me vdekje, përveç atij mbi të cilin mbreti vendos skeptrin e artë që të mbetet gjallë. Edhe unë vetë kam tridhjetë ditë që nuk jam thirrur të shkoj te mbreti». 12Fjalët e Esterës ia treguan Mordakait 13dhe ai ktheu këtë përgjigje: «Mos të të shkojë ndër mend se do të shpëtosh vetëm ti nga të gjithë judenjtë në pallatin mbretëror. 14Sepse, nëse do të heshtësh tani, judenjve do t'u vijë shpëtimi e liria prej tjetërkund, ndërsa ti e shtëpia e atit tënd do të rrënoheni. Kush e di, ndoshta, u bëre mbretëreshë pikërisht për një kohë si kjo?». 15Estera i ktheu këtë përgjigje Mordakait: 16«Shko, mblidh të gjithë judenjtë që gjenden në Shushan e agjëroni për mua. Mos hani as mos pini për tri ditë, natë e ditë. Edhe unë e shërbëtoret e mia do të agjërojmë njësoj. Kështu, do të hyj te mbreti kundër ligjit edhe në marrsha fund». 17Atëherë Mordakai shkoi e bëri gjithçka i urdhëroi Estera.
17a Pastaj iu lut Zotit, kujtoi të gjitha veprat e Zotit e tha: 17b «O Zot, Zot mbret, sundues i tërësisë, që ke nën pushtet gjithësinë e s'ka kush të kundërshton po të doje ta shpëtoje Izraelin! 17c Ti krijove tokën e qiellin dhe të gjitha mrekullitë që gjenden nën qiell. Ti je Zoti i gjithësisë e askush nuk të bën dot ballë, o Zot. 17ç Ti njeh gjithçka. Ti e di, o Zot, se jo për krenari, as për mburrje, as për lavdi, veprova ashtu e nuk iu përkula Hamanit krenar, se do t'i kisha puthur edhe shputën e këmbëve për shpëtimin e Izraelit. 17d Por veprova ashtu për të mos e vënë lavdinë e një njeriu përmbi lavdinë e Perëndisë, se nuk do t'i përkulem askujt përveç teje që je Zoti im. E nuk do të veproj kështu për krenari. 17dh E tani, o Zot, Perëndi e mbret, Perëndia i Abrahamit, kurseje popullin tënd, se na i kanë ngulur sytë për të na zhbirë dhe duan ta rrënojnë trashëgiminë tënde të kryehershme. 17e Mos e lër pas dore hisen tënde që e çlirove për vete prej dheut të Egjiptit 17ë Dëgjoje lutjen time dhe përdëlleje trashëgiminë tënde. Ktheje vajtimin tonë në gëzim, që të jetojmë e t'i këndojmë emrit tënd, o Zot. Mos e zhduk gojën e atyre që të këndojnë ty». 17f Atëherë tërë Izraeli thirri me forcë, se e kishin vdekjen para syve. 17g Edhe mbretëresha Ester u strehua te Zoti, me ankthin e vdekjes. Hoqi petkat e lavdishme, u vesh me petka pikëllimi e zie dhe në vend të erërave të mira e mbuloi kokën me hi e pleh. E poshtëroi trupin e vet dhe mbuloi me flokët e vet të shpupurishur çdo vend që ia kishte ënda ta zbukuronte. Atëherë iu lut Perëndisë së Izraelit e tha: 17gj «O Zoti im, mbreti ynë, ti je i vetmi. Më ndihmo mua, që jam e vetme e nuk kam tjetër ndihmë veç teje, se e jam në rrezik. 17h Unë kam dëgjuar që kur kam lindur, në fisin e atit tim, se ti, o Zot, more Izraelin për trashëgiminë tënde të përhershme ndër të gjitha kombet dhe etërit tanë, ndër të gjithë paraardhësit e tyre dhe veprove me ta siç pate premtuar. 17i Tani ne kemi mëkatuar kundër teje dhe na ke lënë në dorë të armiqve tanë, sepse nderuam perënditë e tyre. Ti je i drejtë o Zot. 17j Tani nuk u mjafton që ne jemi në skllavëri të hidhur, por kanë lidhur besën me idhujt e tyre dhe janë betuar se do ta zhbëjnë kumtin e gojës sate, se do ta shfarosin trashëgiminë tënde, do t'ua mbyllin gojën atyre që të lëvdojnë, do ta shuajnë lavdinë e tempullit tënd e altarin tënd, 17k se do t'ua hapin gojën kombeve për të lëvduar idhujt e kotë dhe për t'u mahnitur përgjithmonë me një mbret prej mishi. 17l Mos ua dorëzo, o Zot, skeptrin tënd atyre që nuk ekzistojnë. Mos i lejo të qeshen me rrëzimin tonë, por kthejua kundër shestimet dhe bëje shembull atë që e nisi këtë gjë kundër nesh. 17ll Kujtohu, o Zot. Dëftohu në ditën e pikëllimit tonë e më jep guxim mua, o mbreti i perëndive e sunduesi i çdo kryesie. 17m Më vër në gojë një fjalim të matur mirë para luanit dhe ktheje zemrën e tij, që të urrejë atë që po na lufton, që të marrë fund ai dhe ata që mendojnë si ai. 17n Na shpëto ne me dorën tënde e më ndihmo mua, që jam e vetme e nuk kam tjetër veç teje, o Zot. 17nj Ti ke dijeni për gjithçka dhe e di se unë e urrej lavdinë e të paudhëve dhe e përbuz shtratin e të parrethprerëve e të çfarëdo të huaji. 17o Ti e di nevojën time dhe se unë e përçmoj shenjën e rangut tim të lartë, që e mbaj mbi kokë në ditët kur duhet të dukem. E përçmoj si një pece të ndyrë dhe nuk e mbaj kur jam në qetësinë time. 17p Shërbëtorja jote nuk ka ngrënë në tryezën e Hamanit, nuk e ka nderuar gostinë e mbretit e nuk ka pirë verën e kushtimit. 17q Që kur më kanë sjellë këtu e deri tani shërbëtorja jote nuk ka pasur tjetër gëzim përveç teje, o Zot, Perëndia i Abrahamit. 17r O Perëndi, që je më i fuqishëm se të gjithë, dëgjoje zërin e të pashpresëve e na shpëto nga duart e keqbërësve. Liromë edhe mua nga frika».

Currently Selected:

Estera (Gr) 4: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy