YouVersion Logo
Search Icon

Estera (Gr) 3

3
Hamani dhe judenjtë
1Pas këtyre ngjarjeve, mbreti Kserks e bëri të rëndësishëm Hamanin, birin e Hamdata Agagitit, e lartësoi dhe ia vuri fronin mbi të gjithë princat që kishte me vete. 2Të gjithë shërbëtorët e mbretit, që rrinin te porta e mbretit, binin në gjunjë e përkuleshin para Hamanit, se kështu kishte urdhëruar mbreti të silleshin me të. Por, Mordakai as binte në gjunjë, as përkulej.
3Shërbëtorët e mbretit, që rrinin te porta e mbretit, e pyetën Mordakain: «Pse e shkel ti urdhrin e mbretit?». 4Por ai, edhe pse e pyesnin ditë për ditë, nuk u vinte vesh. Atëherë ata i treguan Hamanit, për të parë a do të dilte fjala e Mordakait, që u kishte treguar se ishte jude. 5Hamani vuri re se Mordakai as gjunjëzohej, as përkulej para tij dhe u mbush me zemërim. 6Megjithatë, iu duk gjë e vogël të vinte dorë vetëm mbi Mordakain, prandaj, meqë i kishin treguar se cilit popull i përkiste, Hamani kërkoi të shfaroste të gjithë judenjtë, popullin e Mordakait, që gjendej në mbarë mbretërinë e Kserksit.
7Në muajin e parë, që është muaji Nisan, në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Kserks, u hodh Pur, domethënë short, para Hamanit, ditë për ditë e muaj për muaj, deri në muajin e dymbëdhjetë që është muaji Adar. 8Atëherë Hamani i tha mbretit Kserks: «Ndër popujt e mbarë krahinave të mbretërisë sate është përhapur një popull i veçantë që ligjet i ka ndryshe nga të gjithë popujt. Ata nuk i zbatojnë ligjet e mbretit, prandaj nuk është në dobi të mbretit t'i durojë. 9Në dashtë mbreti, le të jepet urdhër me shkrim për t'i shfarosur e unë do t'u dorëzoj nëpunësve dhjetë mijë sikla argjendi, për t'i shtënë në thesaret e mbretit». 10Atëherë mbreti hoqi unazën nga dora, ia dha Hamanit, birit të Hamdata Agagitit, armikut të judenjve 11e i tha: «Argjendin mbaje për vete e me popullin bëj ç'të duash». 12Në ditën e trembëdhjetë të muajit të parë u thirrën shkruesit mbretërorë dhe, sipas urdhrave të Hamanit, u shkruan të gjithë satrapëve të mbretit, qeveritarëve të çdo krahine dhe princave të çdo populli, secilës krahinë me shkrimin e vet dhe secilit popull në gjuhën e vet. U shkrua në emër të mbretit Kserks dhe u vulos me unazën e mbretit 13Letrat iu dërguan të gjitha krahinave të mbretit, me anë të lajmëtarëve, për të shfarosur, për të vrarë e për të rrënuar të gjithë judenjtë, nga më i riu te më i vjetri, me fëmijë e gra, në një ditë të vetme, në ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji Adar, e për t'ua plaçkitur pasurinë.
13a Kjo është kopja e letrës: «Mbreti i madh Kserks, u shkruan sa vijon qeveritarëve të njëqind e njëzet e shtatë krahinave nga India në Etiopi dhe nëpunësve të tyre të nënshtruar: 13b Unë jam kreu i shumë kombeve dhe sunduesi i mbarë botës, por, pa dashur të mburrem me rreptësinë e pushtetit e duke qeverisur gjithnjë me vetëpërmbajtje e butësi, vendosa t'ua bëj përherë të qetë jetën të nënshtruarve të mi, të vendos një mbretërim të sigurt e të përshkueshëm gjer në kufinj, si dhe t'u kthej paqen e shumëdëshiruar të gjithë njerëzve. 13c Pasi i pyeta këshilltarët e mi sesi mund të zbatohej kjo, Hamani, që spikat ndër ne për urti, dallon për përkushtim të paluajtshëm e besnikëri të fortë, si dhe mban rangun e dytë në mbretëri, 13ç na vuri në dukje se, ndër të gjitha fiset që gjenden në botë, është përzier një popull kryeneç, me ligje të ndryshme nga të gjitha kombet e tjera, që i shpërfill gjithmonë vendimet e mbretit dhe pengon bashkimin e mbretërisë që ne drejtojmë në mënyrë të paqortueshme. 13d Duke mbajtur parasysh se ky është populli i vetëm në kundërshtim me tërë njerëzinë, se ndjek doke të tjera të çuditshme dhe se, duke kundërshtuar me keqdashje veprimet tona, kryen veprimet më të dëmshme për të penguar qëndrueshmërinë e mbretërisë, 13dh urdhëruam të zhbihen me rrënjë nën shpatën e kundërshtarëve të tyre, pa mëshirë e përdëllim, me gra e fëmijë, të gjithë ata që ju janë përshkruar në letrat e shkruara nga Hamani, i cili është i ngarkuari me punë dhe ati ynë i dytë, më katërmbëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, të Adarit të këtij viti, 13e që këta kundërshtarët tanë të dikurshëm e të tanishëm të gremisen në një ditë të vetme në skëterrë e ta lënë të qetë e të patrazuar veprimtarinë tonë gjer në fund». 14Një kopje e letrës i duhej dhënë si ligj çdo krahine, për ta njoftuar popullin, që të gjendej i gatshëm për këtë ditë. 15Lajmëtarët u nisën me vrap, sipas urdhrit të mbretit, dhe lajmi u shpall në kështjellën e Shushanit. Atëherë mbreti e Hamani u ulën të pinin, por qyteti i Shushanit u pështjellua.

Currently Selected:

Estera (Gr) 3: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in