YouVersion Logo
Search Icon

Ligji i përtërirë 9

9
Mëkati i Izraelit
1«Dëgjo Izrael, sot po kalon Jordanin për të hyrë e për të shpronësuar popuj më të mëdhenj e më të fortë se vetja, qytete të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, 2një popull të madh e shtatlartë, anakimët, që i njeh dhe për të cilët ke dëgjuar të thuhet: “Kush do t'u bëjë ballë bijve të Anakut?”. 3Dije, pra, sot, se Zoti, Perëndia yt, ai vetë, po kalon para teje si një zjarr përvëlues, ai vetë do t'i shkatërrojë e do t'i nënshtrojë ata para teje. Pastaj, ti do t'i zbosh e zhbish menjëherë, siç të tha Zoti.
4Kur Zoti, Perëndia yt, t'i zbojë para teje, mos thuaj me vete: “Zoti më solli për ta pushtuar këtë tokë në saje të drejtësisë sime”, sepse ai po i zbon këto kombe për shkak të ligësisë së tyre. 5Nuk po hyn për ta pushtuar tokën e tyre në saje të drejtësisë sate apo në saje të ndershmërisë së zemrës tënde. Zoti, Perëndia yt, po i shpronëson para teje këto kombe për shkak të ligësisë së tyre dhe që të mbajë fjalën që u dha etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit.
6Dije, pra, se Zoti, Perëndia yt, nuk po ta jep këtë tokë të mirë për ta pushtuar në saje të drejtësisë sate, sepse ti je një popull kokëfortë. 7Mos harro kurrë si e ndeze zemërimin e Zotit, Perëndisë tënd, kur ishe në shkretëtirë. Që nga dita kur dole nga toka e Egjiptit e derisa arrite në këtë vend, ngrite krye kundër Zotit.
8Madje, edhe në Horeb e ndezët zemërimin e Zotit. Ai u zemërua me ju e deshi t'ju zhbinte. 9Kur u ngjita në mal për të marrë rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes që Zoti lidhi me ju, qëndrova atje për dyzet ditë e dyzet net pa ngrënë bukë e pa pirë ujë. 10Pastaj Zoti m'i dha dy rrasat e gurit të shkruara nga vetë dora e Perëndisë. Ato përmbanin të gjitha fjalët që Zoti ju tha nga mesi i zjarrit në mal, në ditën e tubimit. 11Pasi kaluan dyzet ditë e dyzet net, Zoti m'i dha dy rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes. 12Atëherë Zoti më tha: “Ngrihu e zbrit shpejt poshtë, se populli yt, që nxore nga Egjipti, u shthur. E lanë shpejt udhën që u urdhërova e punuan për vete idhuj të metaltë”. 13Zoti vijoi të më thoshte: “Po shoh se qenka popull kokëfortë! 14Më lër t'i zhbij e ta shuaj emrin e tyre nën qiell. E prej teje do të bëj një komb të fortë e të madh”.
15Atëherë u ktheva e zbrita nga mali, ndërkohë që mali digjej zjarr e dy rrasat e besëlidhjes i mbaja në duar. 16Dhe ja, pashë që kishit mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj dhe kishit punuar për vete një viç të metaltë. E latë shpejt udhën që ju kishte urdhëruar Zoti. 17Atëherë i mbërtheva të dyja rrasat, i përplasa me të dyja duart dhe i theva para syve tuaj. 18Pastaj rashë përmbys para Zotit e, si më parë, nuk hëngra bukë e nuk piva ujë për dyzet ditë e dyzet net, për shkak të mëkatit që kishit bërë, sepse e ngucët Zotin duke bërë ligësi në sy të tij. 19Pata frikë nga zemërimi e tërbimi i Zotit, që ishte ndezur kundër jush për t'ju zhbirë, por Zoti më dëgjoi edhe kësaj here. 20Zoti u zemërua aq fort edhe me Aronin, sa donte ta zhbinte. Atëherë u luta edhe për të. 21Sa për mëkatin që bëtë, viçin e punuar e mora, e dogja në zjarr, e bëra copë e thërrime derisa u bë pluhur dhe pluhurin e hodha në përroin që rridhte nga mali.
22Edhe në Taberah, në Masë e në Kibrot Hatavah e ndezët zemërimin e Zotit. 23Kur Zoti ju dërgoi nga Kadesh Barnea e ju tha: “Shkoni e pushtojeni tokën që ju kam dhënë”, ju ngritët krye kundër fjalës së Zotit, Perëndisë tuaj. Nuk i besuat atij, as nuk e dëgjuat zërin e tij. 24Që nga dita që ju kam njohur keni ngritur krye kundër Zotit.
25Kështu, rashë përmbys para Zotit e për dyzet ditë e dyzet net iu përgjërova, sepse kishte thënë se do t'ju zhbinte. 26Iu luta Zotit e i thashë: “O Zot, Zoti im, mos e shfaros popullin tënd, trashëgimin tënd, që e çlirove me madhështinë tënde, kur e nxore nga Egjipti me dorë të fuqishme. 27Kujto shërbëtorët e tu, Abrahamin, Isakun e Jakobin dhe mos i vë vesh kokëfortësisë, ligësisë e mëkatit të këtij populli. 28Përndryshe, banorët e tokës, prej nga na nxore, do të thonë: ‘Zoti nuk mundi t'i çonte në tokën që u pati premtuar. I urrente, prandaj i nxori që t'i vriste në shkretëtirë’. 29Por, ky është populli yt dhe trashëgimia jote që e nxore me fuqinë tënde të madhe e me krahun tënd të fortë”».

Currently Selected:

Ligji i përtërirë 9: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy