YouVersion Logo
Search Icon

Ligji i përtërirë 8

8
Kujto Perëndinë
1«Ki kujdes që ta zbatosh të gjithë ligjin që të kam urdhëruar sot, që të jetoni, të shumoheni, të hyni e të pushtoni tokën për të cilën Zoti iu betua etërve tuaj. 2Kujto tërë udhën që Zoti, Perëndia yt, të bëri të marrësh gjatë këtyre dyzet vjetëve në shkretëtirë, për të të sprovuar me mundime, që të dinte çka kishe në zemër e nëse do t'i mbaje apo jo urdhërimet e tij. 3Ai të mundoi me uri e pastaj të ushqeu me manë, të cilën s'e njihje as ti, as etërit e tu, për të të treguar se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Zotit. 4Gjatë këtyre dyzet vjetëve, as t'u shqyen rrobat, as t'u ënjt këmba. 5Ngulite në mendje se Zoti, Perëndia yt, të ndreq, ashtu siç ndreq njeriu fëmijën e vet. 6Mbaji urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, ec udhës së tij e druaje atë. 7Zoti, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë, në një tokë ku përrenjtë, krojet e burimet e nëndheshme vërshojnë nëpër fusha e bjeshkë, 8në një tokë me grurë, elb, vreshta, fiq e shegë, në një tokë me vaj ulliri e me mjaltë, 9në një tokë ku do të hash bukë sa të duash, ku asgjë nuk do të të mungojë, në një tokë ku nxirret hekur prej gurit e bronz prej maleve. 10Do të hash, do të ngihesh e do të bekosh Zotin, Perëndinë tënd, për tokën e mirë, që të ka dhënë.
11Kujdes se mos harron Zotin, Perëndinë tënd, e nuk i mban urdhërimet, vendimet e rregullat e tij, që ju urdhërova unë sot. 12Kur të hash sa të ngihesh, kur të ndërtosh e të rrosh në shtëpi të mira, 13kur të të shtohen dhentë e qetë, argjendi e ari e gjithçka që ke, 14mos të të rritet mendja dhe harron Zotin, Perëndinë tënd. Ai të nxori nga toka e Egjiptit, nga skllavëria, 15të priu në shkretëtirën e madhe e të tmerrshme, një vend gjarpërinjsh helmues e akrepash, një vend i shkretë pa ujë, të nxori ujë nga një shkëmb stralli, 16të ushqeu në shkretëtirë me manë, të cilën as etërit e tu nuk e njihnin, që të të sprovonte me mundime e në fund të ta sillte mbarë. 17Mos thuaj me vete: “Me forcën dhe fuqinë e duarve të mia e fitova gjithë këtë pasuri”. 18Kujto Zotin, Perëndinë tënd, se ai të jep forcë për të fituar pasuri dhe e mban besëlidhjen e tij, për të cilën iu betua etërve të tu, si edhe sot. 19Por, nëse e harron vërtet Zotin, Perëndinë tënd, e ndjek perëndi të tjerë, u shërben e i adhuron, për be, sot po ju paralajmëroj se do të shkatërroheni krejt. 20Do të merrni fund si kombet që po shkatërron Zoti para jush, ngaqë nuk e dëgjuat zërin e Zotit, Perëndisë tuaj».

Currently Selected:

Ligji i përtërirë 8: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy