YouVersion Logo
Search Icon

Amosi 7

7
Vegimet
1«Ja çfarë më dëftoi Zoti, Zoti im: karkalecat po bëheshin gati teksa të mbjellat e vonshme po çelnin e kositja e mbretit kishte ndodhur. 2E si mbaruan së ngrëni gjelbërimin e vendit, thashë: të përgjërohem, o Zot, Zoti im, fale Jakobin, se s'do t'i bëjë dot ballë. Ai është i vogël.
3 Zotit i erdhi keq e tha: kjo nuk do të ndodhë!
4Ja çfarë më dëftoi Zoti, Zoti im: zjarrin po thërriste Zoti, Zoti im, që të sillte gjykim. E thau humnerën e madhe dhe tokën e përpiu. 5Atëherë thashë: të përgjërohem, o Zot, ndale, se Jakobi s'do t'i bëjë dot ballë. Ai është i vogël.
6 Zotit i erdhi keq e tha: as kjo nuk do të ndodhë!
7Ja çfarë më dëftoi: Zoti po qëndronte mbi një mur të drejtë me plumbç në dorë 8e më tha: “Amos, çfarë shikon?”. Unë thashë: “Një plumbç”. Ai tha: “Ja po e vendos plumbçin mes për mes popullit tim, Izraelit. Nuk do ta fal më.
9Do të rrënohen vendet e larta të Isakut,
shenjtëroret e Izraelit do të rroposen.
Shpatën do ta ngre kundër shtëpisë së Jeroboamit”.
10Atëherë Amacjahu, prifti i Betelit, i dërgoi fjalë Jeroboamit, mbretit të Izraelit: “Amosi po kurdis diçka kundër teje, në mes të shtëpisë së Izraelit. Vendi nuk mund t'i durojë gjithë fjalët e tij. 11Ja ç'thotë Amosi: ‘Jeroboami do të vdesë prej shpatës. Me të vërtetë, Izraeli do të shpërngulet prej tokës së tij’”.
12Atëherë Amacjahu i tha Amosit: “Ik, o vegimtar, mbathja drejt tokës së Judës. Rri atje e profetizo! 13Për Betelin mos profetizo më, se është shenjtërorja e mbretit, pallati mbretëror”.
14Amosi iu përgjigj Amacjahut: “Unë nuk jam profet e as bir profeti. Jam blegtor e vjelës fiqsh. 15Zoti më mori prej kopeve e më tha: ‘Shko e profetizoji populli tim, Izraelit’. 16Prandaj, tani, dëgjoje fjalën e Zotit: ti po thua mos profetizo kundër Izraelit dhe mos e hap gojën kundër shtëpisë së Isakut”. 17Prandaj kështu thotë Zoti:
“Jot shoqe do të bëhet lavirja e qytetit,
bijtë e bijat e tu prej shpatës do të bien,
me konop do të ndahet toka jote
e ti në dhe të huaj do të vdesësh.
Me të vërtetë, Izraeli do të shpërngulet prej tokës së tij”».

Currently Selected:

Amosi 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy