YouVersion Logo
Search Icon

2 Mbretërve 17

17
Fundi i mbretërisë së Izraelit
1Në vitin e dymbëdhjetë të mbretërimit të Ahazit në Judë, Hosea, biri i Elahut, u bë mbret i Izraelit dhe sundoi për nëntë vjet në Samari. 2Hosea bëri çka është keq në sytë e Zotit, por jo si mbretërit e tjerë të Izraelit që kishin mbretëruar para tij. 3Shalmaneseri, mbreti i Asirisë, e sulmoi Hosenë, i cili iu nënshtrua e i paguante tagra. 4Por mbreti i Asirisë zbuloi se Hosea e kishte tradhtuar, sepse kishte dërguar lajmëtarë te mbreti i Egjiptit në So#17.4 ose: mbreti So dhe nuk ia kishte paguar tagrin e përvitshëm mbretit të Asirisë. Atëherë mbreti i Asirisë e kapi Hosenë dhe e futi në burg. 5Ai pushtoi mbarë vendin, sulmoi Samarinë dhe e mbajti të rrethuar për tre vjet. 6Në vitin e nëntë të mbretërimit të Hosesë, mbreti i Asirisë e pushtoi Samarinë, banorët e Izraelit i çoi në mërgim në Asiri dhe i vuri të banojnë në Halah, në krahinën e Gozanit pranë lumit Habor dhe në qytetet e Medës.
Robërimi i Izraelit
7Kjo ndodhi ngaqë izraelitët kishin mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë së tyre, që i kishte nxjerrë nga toka e Egjiptit dhe nga zgjedha e faraonit, mbretit të Egjiptit, por ata kishin nderuar perëndi të tjerë. 8Izraelitët kishin ndjekur doket e kombeve, që Zoti kishte dëbuar para syve të tyre, dhe doket që kishin futur mbretërit e Izraelit. 9Me veprat e tyre të padrejta, izraelitët bënë gjëra të pështira kundër Zotit, Perëndisë së tyre, dhe ndërtuan faltore nëpër vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, që nga kullat e vrojtimit e deri te qytetet e fortifikuara. 10Ata ngritën përmendore të shenjta dhe shtylla të Asherasë në çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të harlisur. 11Ata kushtuan temjan nëpër faltoret në vende të larta, ashtu si kombet që Zoti kishte dëbuar para tyre, dhe bënë ligësi që ndezën zemërimin e Zotit. 12Ata u shërbyen idhujve, për të cilët Zoti u kishte urdhëruar të mos e bënin. 13Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën përmes profetëve dhe vegimtarëve e u kishte thënë: «Kthehuni nga udha juaj e ligë e mbajini urdhërimet, rregullat dhe mbarë ligjet që u kam urdhëruar paraardhësve tuaj e që ju kam urdhëruar edhe juve përmes profetëve, shërbëtorëve të mi».
14Por izraelitët nuk dëgjuan e u bënë kokëfortë, ashtu si paraardhësit e tyre, që nuk besuan te Zoti, Perëndia i tyre. 15Ata i përbuzën rregullat dhe besëlidhjen që Zoti kishte bërë me paraardhësit e tyre, si dhe paralajmërimet që u kishte dhënë përmes dëshmive. U dhanë pas idhujve të kotë e u bënë vetë kotësi, si dhe pas kombeve që i rrethonin, për të cilët Zoti i kishte urdhëruar të mos silleshin si ata. 16Izraelitët i braktisën të gjitha urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe bënë dy idhuj demash prej metali dhe një shtyllë të Asherasë. Adhuruan mbarë ushtrinë qiellore dhe i shërbyen Baalit. 17Kushtuan bijtë e bijat e tyre në zjarr, u morën me shortari e me magji dhe ia shitën shpirtin të keqes kundër Zotit, duke ndezur kështu zemërimin e tij. 18Zoti u zemërua shumë me Izraelin, prandaj e dëboi larg pranisë së tij. Mbeti vetëm fisi i Judës.
19As judenjtë nuk i mbajtën urdhërimet e Zotit, Perëndisë së tyre, por ecën sipas dokeve të Izraelit. 20Kështu, Zoti e hodhi poshtë mbarë farën e Izraelit, i poshtëroi dhe i dha në duart e kusarëve, derisa i dëboi nga prania e tij.
21Izraeli u shkëput nga shtëpia e Davidit dhe bëri mbret Jeroboamin, birin e Nebatit, i cili e largoi Izraelin nga Zoti dhe e shtyu të mëkatojë rëndë. 22Që nga ajo kohë izraelitët u dhanë pas të gjitha mëkateve të Jeroboamit e nuk u shmangën prej tyre, 23derisa Zoti i dëboi nga prania e tij, ashtu siç kishte thënë përmes profetëve, shërbëtorëve të tij. Kështu, izraelitët u dëbuan nga toka e tyre dhe janë në mërgim në Asiri edhe sot e kësaj dite.
Prejardhja e samaritanëve
24Mbreti i Asirisë solli popullsi nga Babilonia, nga Kuta, nga Avahu, nga Hamati e nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë, në vend të izraelitëve. Këta popuj e bënë Samarinë pronë të tyre dhe banuan në qytetet e saj. 25Në fillim ata nuk e druanin Zotin dhe Zoti u dërgoi luanë, që t'i shqyenin. 26I dërguan lajm mbretit të Asirisë e i thanë: «Kombet që dërgove në mërgim për të banuar në qytetet e Samarisë, nuk i njohin ligjet e Perëndisë së asaj toke, prandaj ai u ka dërguar luanë, që po i shqyejnë për shkak se ata nuk i dinë ato ligje». 27Atëherë mbreti i Asirisë urdhëroi të çonin në Samari njërin nga priftërinjtë që kishin shpërngulur, që ai të shkonte, të banonte atje e t'u mësonte ligjet e Perëndisë së asaj toke. 28Kështu, njëri nga priftërinjtë që kishin shpërngulur nga Samaria, u kthye e u vendos në Betel. Ai u mësoi si të druanin Zotin.
29Megjithatë, çdo popull bëri perëndinë e vet. Idhujt i vendosën nëpër tempujt apo nëpër faltoret në vende të larta, që kishin ndërtuar samaritanët. Kështu bëri çdo popull në qytetin ku banonte. 30Babilonasit punuan idhullin e Sukot Benotit, kutitët bënë idhullin e Nergalit, hamatitët bënë Ashimanë, 31avitët bënë Nibhazin, tartakitët dhe sefarvitët u kushtonin fëmijët në zjarr Adramelekut dhe Anamelekut, perëndive të Sefarvaimit. 32Ata druanin edhe Zotin, prandaj caktuan njerëz të tyre si priftërinj për faltoret në vende të larta, që të kushtonin fli për ta nëpër tempujt që ndodheshin atje. 33Ndërkohë që druanin Zotin, ata u shërbenin edhe perëndive të tyre, sipas zakoneve të vendeve nga kishin ardhur në mërgim.
34Ata ndjekin doket e mëparshme edhe sot e kësaj dite dhe nuk e druajnë Zotin. Ata nuk veprojnë sipas rregullave, vendimeve, ligjit e urdhërimeve që Zoti u urdhëroi pasardhësve të Jakobit, të cilin e quajti Izrael. 35Zoti kishte bërë një besëlidhje me ta dhe u kishte dhënë këtë urdhër: «Mos druani perëndi të tjerë, mos u përkulni para tyre, mos u shërbeni e mos u kushtoni flijime. 36Druani Zotin, që ju nxori nga toka e Egjiptit me forcën dhe me fuqinë e krahut të tij. Atë druani, para tij përkuluni dhe atij kushtojini flijime. 37Mbajini çdo ditë rregullat, vendimet, ligjin dhe urdhërimet që ai shkroi për ju. Mos druani perëndi të tjerë! 38Mos harroni besëlidhjen që bëra me ju dhe mos druani perëndi të tjerë! 39Druani Zotin, Perëndinë tuaj, e ai do t'ju shpëtojë nga zgjedha e armiqve». 40Por ata nuk e dëgjuan dhe vazhduan të veprojnë sipas zakoneve të mëparshme.
41Kështu, këta popuj e druanin Zotin, por u shërbenin edhe idhujve të tyre. Edhe sot e kësaj dite, bijtë dhe bijtë e bijve të tyre veprojnë siç vepruan etërit e tyre.

Currently Selected:

2 Mbretërve 17: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in