2 Mbretërve 16
16
Mbretërimi i Ahazit në Judë
1Në vitin e shtatëmbëdhjetë të mbretërimit të Pekahut, birit të Remaliahut, në Izrael, Ahazi, biri i Jotamit, u bë mbret i Judës. 2Ahazi ishte njëzet vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Jerusalem. Ai nuk bëri çka është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë së tij, si Davidi, paraardhësi i tij, 3por ndoqi udhët e mbretërve të Izraelit. Për më tepër ai flijoi edhe djalin e vet në zjarr, sipas dokeve të pështira të kombeve që Zoti kishte dëbuar para syve të izraelitëve. 4Po ashtu, ai kushtoi flijime e temjan në faltoret në vende të larta, nëpër kodra dhe nën pemë të harlisura.
5Recini, mbreti i Aramit, bashkë me Pekahun, birin e Remaliahut, mbretin e Izraelit, erdhën dhe sulmuan Jerusalemin. Ata e rrethuan Ahazin, por nuk e mposhtën dot. 6Asokohe Recini, mbreti i Aramit#16.6 të tjerë: Edomit, ripushtoi Ejlatin, e bashkoi me Aramin dhe i dëboi judenjtë prej andej. Edomitët erdhën në Eljat, vend ku edhe banojnë sot e kësaj dite. 7Ahazi i dërgoi lajmëtarë Tiglat Pileserit, mbretit të Asirisë, e i tha: «Jam shërbëtori yt dhe biri yt. Eja të më shpëtosh nga mbreti i Aramit dhe nga mbreti i Izraelit, që më kanë sulmuar». 8Ahazi mori edhe argjendin dhe arin që gjendej në tempullin e Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror, e ia dërgoi si dhuratë mbretit të Asirisë. 9Mbreti i Asirisë pranoi dhe shkoi për të sulmuar Damaskun. E pushtoi, banorët i degdisi në Kir, kurse Recinin e vrau.
10Mbreti Ahaz shkoi në Damask për të takuar Tiglat Pileserin, mbretin e Asirisë. Kur pa altarin e Damaskut, ai i dërgoi priftit Urjah trajtën e altarit, si edhe përshkrimin e hollësishëm të punimit të tij. 11Prifti Urjah ndërtoi një altar sipas të gjithë përshkrimit që i kishte dërguar mbreti Ahaz nga Damasku dhe e përfundoi para se të kthehej mbreti Ahaz nga Damasku. 12Kur u kthye nga Damasku, mbreti pa altarin, u afrua pranë tij dhe kushtoi fli mbi të. 13Ai kushtoi mbi altar temjan, fli shkrumbimi, fli drithi, derdhi mbi të fli stërpikjeje dhe e spërkati me gjakun e flive të paqtimit që kishte kushtuar vetë. 14Altarin prej bronzi, që ndodhej në prani të Zotit, midis altarit dhe tempullit të Zotit, ai e lëvizi nga pjesa e përparme e tempullit dhe e vuri në kënd të altarit të ri, nga ana veriore. 15Mandej mbreti Ahaz i dha këtë urdhër priftit Urjah: «Mbi altarin e madh do të kushtosh flinë e shkrumbimit të mëngjesit, flinë e drithit të mbrëmjes, flinë e shkrumbimit të mbretit, flinë e tij të drithit, flinë e shkrumbimit të mbarë popullit, flitë e tyre të drithit e të stërpikjes, bashkë me gjakun e flive të shkrumbimit, dhe do ta spërkatësh me gjakun e flive. Altarin prej bronzi do ta përdor unë për t'u këshilluar». 16Prifti Urjah bëri siç e urdhëroi mbreti Ahaz.
17Mbreti Ahaz hoqi fletët që mbulonin bazat e legenëve dhe vetë legenët. Ai hoqi edhe detin prej metali prej demave të bronztë dhe e vuri mbi dysheme gurësh. 18Për shkak të mbretit të Asirisë ai hoqi edhe Portikun e së Shtunës, që ishte ndërtuar në tempull, si edhe hyrjen e jashtme të mbretit për në tempullin e Zotit. 19Bëmat e tjera të Ahazit dhe veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. 20Ahazi u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia.
Currently Selected:
2 Mbretërve 16: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020