YouVersion Logo
Search Icon

1 Mbretërve 14

14
Mbretërimi i Jeroboamit
1Asokohe Abijahu, biri i Jeroboamit, ishte sëmurë. 2Jeroboami i tha së shoqes: «Ngrihu, të lutem, ndërro veshje, që mos të të njohin se je gruaja e Jeroboamit, e shko në Shiloh. Atje jeton profeti Ahijah, ai që më tha se do të bëhesha mbreti i këtij populli. 3Merr me vete dhjetë bukë, disa kuleç të ëmbël dhe një qyp me mjaltë e shko ta takosh. Ai do të të thotë se ç'do të ndodhë me djalin».
4E ashtu bëri gruaja e Jeroboamit. Ajo u ngrit e shkoi në Shiloh, në shtëpinë e Ahijahut. Ahijahu nuk shihte më, sepse i ishin dobësuar sytë nga pleqëria e thellë. 5Por Zoti i tha Ahijahut: «Ja, gruaja e Jeroboamit po vjen për t'u këshilluar me ty për birin e saj të sëmurë. Thuaji kështu e ashtu. Kur të vijë, ajo do të shtiret si një grua tjetër».
6Kur Ahijahu dëgjoi hapat e gruas së Jeroboamit tek po hynte në derë, i tha: «Hyr, o gruaja e Jeroboamit! Përse hiqesh si një grua tjetër? Kam një lajm të rëndë për ty. 7Shko e thuaji Jeroboamit: kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Unë të ngrita mbi të tjerët e të bëra sundimtar mbi popullin tim, Izraelin. 8E ndava mbretërinë nga shtëpia e Davidit e ta dhashë ty, por ti nuk ke qenë si shërbëtori im, Davidi, i cili i mbante urdhërimet e mia e më ndiqte me gjithë zemër. Davidi bënte çka ishte e drejtë në sytë e mi. 9Ti ke bërë më shumë ligësi se të gjithë paraardhësit e tu. Bëre perëndi të tjerë e derdhe idhuj prej metali për veten tënde, më ktheve shpinën dhe ndeze zemërimin tim. 10Prandaj unë do të sjell fatkeqësi mbi shtëpinë e Jeroboamit e do t'i shfaros të gjithë meshkujt e saj në Izrael, qofshin këta skllevër apo të lirë. Do ta fshij shtëpinë e Jeroboamit siç fshihet plehu, derisa të shfaroset krejt. 11Njerëzit e shtëpisë së Jeroboamit që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë dhe shpendët e qiellit do të hanë ata që do të vdesin nëpër ara, sepse kështu foli Zoti”. 12Prandaj ngrihu e shko në shtëpi. Sapo këmbët e tua të shkelin pragun e qytetit, djali do të vdesë. 13Mbarë Izraeli do ta qajë e do ta varrosë. Nga shtëpia e Jeroboamit vetëm ai do të shtihet në varr, sepse ai është i vetmi prej asaj shtëpie, tek i cili Zoti, Perëndia i Izraelit, pa diçka të mirë. 14Zoti do të nxjerrë një mbret të vetin për Izraelin, i cili do ta shfarosë shtëpinë e Jeroboamit, duke filluar që sot. Ç'po them kështu? Duke filluar që tani. 15Zoti do ta dërrmojë Izraelin si një kallam që lëkundet në ujë dhe do ta zhbijë nga kjo tokë e mirë që u dha paraardhësve të tyre. Zoti do t'i shpërndajë përtej lumit të Eufratit, sepse ata bënë shtylla të Asherasë dhe ndezën zemërimin e tij. 16Ai do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve të Jeroboamit, i cili jo vetëm që mëkatoi vetë, por u bë shkak mëkati edhe për Izraelin».
17Gruaja e Jeroboamit u ngrit për të ikur dhe shkoi në Tircah. Sapo shkeli pragun e shtëpisë, djaloshi vdiq. 18I gjithë Izraeli vajtoi për të dhe e varrosi, ashtu siç kishte thënë Zoti përmes shërbëtorit të tij, profetit Ahijah.
19Bëmat e tjera të Jeroboamit, sesi luftoi e sesi mbretëroi, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 20Jeroboami mbretëroi njëzet e dy vjet e pastaj vdiq. Pas tij mbretëroi i biri, Nadabi.
Mbretërimi i Rehoboamit
21Rehoboami, biri i Solomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi për shtatëmbëdhjetë vjet në Jerusalem, në qytetin që Zoti kishte zgjedhur ndër të gjitha fiset e Izraelit për të vendosur emrin e tij. Nëna e Rehoboamit quhej Naamë dhe ishte amonite. 22Edhe Juda bëri çka ishte keq në sytë e Zotit. Me mëkatet që bënë, e ndezën zemërimin e tij më shumë se paraardhësit e tyre. 23Ata ndërtuan për vete faltore në vende të larta dhe përmendore e shtylla të Asherasë në çdo kodër të lartë e nën çdo pemë gjethedendur. 24Në vend kishte edhe lavire kulti dhe pasardhësit e fisit të Judës bënë të gjitha ndyrësitë që kishin bërë edhe kombet, të cilat Zoti i kishte dëbuar para syve të izraelitëve.
25Në vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit, sulmoi Jerusalemin 26dhe plaçkiti thesaret e tempullit të Zotit, thesaret e pallatit mbretëror e gjithçka tjetër. Ai plaçkiti edhe të gjitha shqytet e arta që kishte punuar Solomoni. 27Në vend të tyre, mbreti Rehoboam bëri shqyte bronzi dhe ua dorëzoi krerëve të ushtarëve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror. 28Sa herë që mbreti shkonte në tempullin e Zotit, ushtarët i merrnin shqytet dhe i kthenin sërish në vendin ku mbaheshin armët.
29Bëmat e tjera të Rehoboamit e gjithçka bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. 30Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati përherë luftë. 31Rehoboami vdiq dhe u varros bashkë me paraardhësit e tij në qytetin e Davidit. Nëna e tij quhej Naamë dhe ishte amonite. Pas tij mbretëroi i biri, Abijami.

Currently Selected:

1 Mbretërve 14: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in