YouVersion Logo
Search Icon

1 Mbretërve 13

13
Dënimi i altarit të Betelit
1Një njeri i Perëndisë mbërriti nga Juda në Betel me urdhër të Zotit kur Jeroboami po qëndronte para altarit për të kushtuar temjan. 2Njeriu i Perëndisë iu drejtua altarit me fjalën e Zotit e tha: «Altar, altar! Kështu thotë Zoti: “Ja, një djalë, që do të lindë nga shtëpia e Judës e do të quhet Josi, do të flijojë mbi ty priftërinjtë e faltoreve në vende të larta, që kanë kushtuar temjan mbi ty, e mbi ty eshtra njerëzish do të djegë!”». 3Po atë ditë njeriu i Perëndisë bëri një mrekulli e tha: «Ja cila do të jetë shenja që këto janë fjalët e Zotit: altari do të çahet e hiri që është mbi të, do të derdhet». 4Kur mbreti Jeroboam dëgjoi fjalët, që njeriu i Perëndisë tha kundër altarit të Betelit, shtriu krahun nga altari ku ishte dhe urdhëroi që ta kapnin njeriun e Perëndisë. Por krahu iu tha e Jeroboami nuk mundi ta mbledhë më. 5Atë çast altari u ça e hiri u derdh prej tij, sipas shenjës që kishte thënë njeriu i Perëndisë, se do të bëhej sipas fjalës së Zotit. 6Atëherë mbreti i tha njeriut të Perëndisë: «Të lutem, lutju Zotit Perëndi e përgjëroju për mua, që të më kthehet krahu në vend». Njeriu i Perëndisë iu lut Zotit dhe mbretit iu kthye krahu si më parë. 7Mbreti i tha njeriut të Perëndisë: «Eja me mua në shtëpi që të marrësh veten e do të të jap edhe dhurata». 8Por njeriu i Perëndisë iu përgjigj: «Edhe sikur të më jepje gjysmën e mbretërisë, nuk do të vija me ty. Në këtë vend as do të ha bukë e as do të pi ujë, 9sepse Zoti më ka urdhëruar vetë të mos ha bukë e të mos pi ujë, madje edhe të kthehem nga një rrugë tjetër». 10Kështu, ai u nis e u kthye nga një rrugë tjetër e jo nga rruga që kishte ardhur në Betel.
Mosbindja e njeriut të Perëndisë
11Në Betel jetonte një profet i thyer në moshë. Bijtë e tij shkuan e i treguan për gjithçka që kishte bërë atë ditë në Betel njeriu i Perëndisë. Ata i treguan të atit edhe fjalët që njeriu i Perëndisë i kishte thënë mbretit. 12I ati i pyeti: «Cilën rrugë mori?». Të bijtë i treguan rrugën që kishte marrë njeriu i Perëndisë që kishte ardhur nga Juda. 13Atëherë ai u tha të bijve: «Ma shaloni gomarin». Ata ia shaluan gomarin dhe ai hipi mbi të. 14Ai shkoi pas njeriut të Perëndisë dhe e gjeti të ulur nën një lis. Profeti i moshuar e pyeti: «Ti je njeriu i Perëndisë që erdhi nga Juda?». Ai iu përgjigj: «Unë jam». 15Profeti i moshuar i tha: «Eja me mua në shtëpi të hash bukë». 16Njeriu i Perëndisë i tha: «Nuk mund të kthehem pas e të vij me ty. As nuk do të ha bukë e as nuk do të pi ujë me ty në këtë vend, 17sepse vetë Zoti më ka urdhëruar, të mos ha bukë e të mos pi ujë këtu, madje edhe të mos kthehem nga e njëjta rrugë që erdha». 18Profeti i moshuar i tha: «Edhe unë profet jam, si ti. Një engjëll më foli me urdhër të Zotit e më tha të të ktheja në shtëpi që të hash bukë e të pish ujë». Por profeti e gënjeu. 19Njeriu i Perëndisë u kthye me të, hëngri bukë e piu ujë në shtëpinë e tij.
20Teksa ishin në tryezë, Zoti i foli profetit që kishte kthyer njeriun e Perëndisë nga rruga. 21Atëherë profeti i tha me zë të lartë njeriut të Perëndisë që kishte ardhur nga Juda: «Kështu thotë Zoti: “Meqenëse nuk e dëgjove fjalën e Zotit dhe nuk e zbatove urdhrin që të dha Zoti, Perëndia yt, 22por u ktheve për të ngrënë bukë e për të pirë ujë në vendin që të kishte thënë të mos haje bukë e të mos pije ujë, kufoma jote nuk do të varroset në varrezën e të parëve të tu”». 23Pastaj njeriu i Perëndisë hëngri bukë e piu dhe shaloi gomarin e profetit që e ktheu nga rruga. 24Ai u nis për t'u kthyer, por rrugës i doli përpara një luan dhe e vrau. Kufoma e njeriut të Perëndisë mbeti e shtrirë në rrugë dhe gomari me luanin qëndronin pranë kufomës. 25Disa kalimtarë panë kufomën të shtrirë përtokë dhe luanin që qëndronte pranë saj. Ata shkuan dhe e përhapën lajmin në qytetin ku jetonte profeti i thyer në moshë.
26Kur e dëgjoi këtë profeti që e ktheu nga rruga, tha: «Është njeriu i Perëndisë që nuk iu bind urdhrit të Zotit dhe Zoti e la nën kthetrat e luanit. Luani e shqeu dhe e vrau, sipas fjalës që kishte thënë Zoti për të». 27Atëherë ai u tha bijve të tij: «Ma shaloni gomarin». Ata ia shaluan gomarin 28e ai u nis. Gjeti kufomën të shtrirë përtokë mbi rrugë dhe gomarin me luanin që rrinin pranë saj. Luani nuk e kishte ngrënë kufomën e nuk e kishte shqyer gomarin. 29Profeti i thyer në moshë e mori kufomën e njeriut të Perëndisë dhe e ngarkoi mbi gomar. Pastaj u kthye në qytetin e vet për ta vajtuar njeriun e Perëndisë e për ta varrosur. 30Kufomën e varrosi në varrin e vet dhe njerëzit vajtonin duke thënë: «Mjerë, o vëllai im». 31Pas varrimit, profeti u tha bijve të vet: «Kur të vdes, më varrosni në varrin ku prehet njeriu i Perëndisë. M'i vini eshtrat pranë eshtrave të tij. 32Fjala që tha ai me urdhër të Zotit për altarin e Betelit e për faltoret në vende të larta të Samarisë do të përmbushet».
33As pas këtyre ndodhive, Jeroboami nuk u kthye nga udha e tij e ligë, por vazhdonte të caktonte priftërinj njerëz nga mbarë populli për faltoret në vende të larta. Jeroboami bënte prift për faltoret në vende të larta këdo që e dëshironte. 34Kjo e bëri shtëpinë e Jeroboamit të mëkatonte dhe solli shkatërrimin e shfarosjen e saj nga faqja e dheut.

Currently Selected:

1 Mbretërve 13: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy