YouVersion Logo
Search Icon

1 Korintasve 7

7
Çështje të martesës
1Sa për ato që më shkruat, mirë është që njeriu të mos prekë grua. 2Por për të mos rënë në kurvëri, çdo burrë le të ketë gruan e vet dhe çdo grua të ketë burrin e vet. 3Burri le të përmbushë detyrimin e tij martesor ndaj gruas dhe po ashtu edhe gruaja ndaj burrit. 4Gruaja nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron burri i saj. Po ashtu edhe burri nuk e zotëron trupin e vet, por e zotëron gruaja e tij. 5Mos iu privoni njëri-tjetrit, përveçse kur keni vendosur që për pak kohë t'i përkushtoheni lutjes#7.5 dorëshk. të tjera edhe: dhe agjërimit. Pastaj bashkohuni përsëri, që për shkak të mospërmbajtjes suaj të mos ju tundojë Satani. 6Këtë nuk e them si urdhër, por si diçka që është e lejueshme. 7Unë do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë, por secili ka dhuntinë e vet nga Perëndia, njëri kështu e tjetri ashtu.
8Të pamartuarve dhe vejushave u them se është mirë të qëndrojnë si unë. 9Por, nëse nuk përmbahen dot, le të martohen, sepse është më mirë të martohen se të digjen nga dëshirat.
10Të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri. 11Nëse ndahet, le të qëndrojë e pamartuar ose të pajtohet me burrin. Dhe burri të mos e lërë gruan.
12Ndërsa të tjerëve u them unë, jo Zoti, se nëse një vëlla ka për grua një jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë me të, të mos e lërë. 13Dhe nëse një grua ka për burrë një jobesimtar dhe ai pranon të jetojë me të, të mos e lërë burrin. 14Sepse burri jobesimtar do të shenjtërohet nga gruaja dhe gruaja jobesimtare do të shenjtërohet nga burri. Përndryshe fëmijët tuaj do të ishin të papastër, por tani janë të shenjtë.
15Nëse jobesimtari dëshiron të ndahet, le të ndahet. Besimtari ose besimtarja nuk janë më të lidhur nga këto gjëra, sepse Perëndia ju ka thirrur në paqe. 16Nga e di ti, o grua? Ndoshta do ta shpëtosh burrin. Nga e di ti, o burrë? Ndoshta do ta shpëtosh gruan.
Jeto sipas thirrjes
17Sa për të tjerat, secili të jetojë ashtu siç i ka dhënë Zoti dhe ashtu siç ka qenë kur e thirri Perëndia. Kështu urdhëroj për të gjitha kishat. 18Nëse dikush u thirr kur ishte i rrethprerë, të mos mundohet ta ndreqë rrethprerjen. Nëse dikush u thirr kur ishte i parrethprerë, të mos rrethpritet. 19Rrethprerja dhe parrethprerja nuk janë asgjë, por ajo që ka rëndësi është zbatimi i urdhërimit të Perëndisë. 20Secili të mbetet siç ishte kur e thirri Perëndia. 21Ishe skllav kur u thirre nga Perëndia? Mos u shqetëso për këtë, por nëse të jepet mundësia të fitosh lirinë, atëherë më mirë shfrytëzoje. 22Ai që u thirr nga Zoti kur ishte skllav, mori lirinë prej tij. Po ashtu edhe ai që u thirr kur ishte i lirë, është skllav i Krishtit. 23Perëndia ju bleu me një çmim. Mos u bëni skllevër të njerëzve! 24Vëllezër, secili të mbetet para Perëndisë siç ishte kur u thirr prej tij.
Të pamartuarit dhe vejushat
25Për virgjëreshat nuk kam ndonjë urdhër nga Zoti, por po shpreh mendimin tim si njeri që, nga mëshira e Zotit, jam i besueshëm. 26Mendoj se për shkak të vështirësive të tanishme mirë është që njeriu të qëndrojë siç është. 27Je i martuar? Mos kërko të ndahesh! Je i pamartuar? Mos kërko grua! 28Nëse martohesh, nuk mëkaton. Edhe një virgjëreshë nëse martohet, nuk mëkaton. Por të martuarit hyjnë në mundime trupore dhe këtë dua t'jua kursej.
29Këtë e them, o vëllezër, sepse koha që mbetet është aq e shkurtër, saqë edhe ata që kanë gra, duhet të jetojnë si të mos kishin; 30ata që qajnë, si të mos qanin; ata që gëzohen, si të mos gëzoheshin; ata që blejnë, si të mos kishin asgjë; 31dhe ata që i gëzojnë të mirat e kësaj bote, si të mos i gëzonin, sepse trajta e kësaj bote po kalon.
32Dua që të mos keni kokëçarje. I pamartuari shqetësohet për gjërat e Zotit dhe kërkon si t'i pëlqejë Zotit, 33ndërsa i martuari shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t'i pëlqejë gruas 34dhe është i ndarë më dysh. Po ashtu, si gruaja e pamartuar, edhe virgjëresha shqetësohen për gjërat e Zotit, që të jenë të shenjta në trup e në shpirt, ndërsa e martuara shqetësohet për gjërat e botës dhe kërkon si t'i pëlqejë burrit. 35Edhe këto gjëra po jua them për të mirën tuaj dhe jo për t'ju vënë lakun në fyt, por që të jetoni sa më hijshëm e sa më të përkushtuar ndaj Zotit, pa shqetësime.
36Por, nëse dikush shikon se do të sillej në mënyrë të pahijshme ndaj të fejuarës#7.36 ose: virgjëreshës së tij, sepse digjet nga dëshira#7.36 ose: sepse ajo ka arritur pjekurinë dhe mendon se duhet të martohet, le të bëjë si të dojë, le të martohet, nuk mëkaton. 37Ndërsa ai që është i palëkundur në zemër dhe ndien se nuk ka nevojë, por i zotëron dëshirat dhe e ka vendosur me gjithë zemër që ta ruajë të fejuarën e vet, bën mirë. 38Kështu, ai që martohet me të fejuarën e vet bën mirë; ai që nuk martohet bën edhe më mirë.
39Gruaja është e lidhur me burrin e saj për sa kohë ai jeton. Nëse vdes burri, ajo është e lirë të martohet me kë të dojë, veçse martesa të bëhet në Zotin. 40Ajo do të jetë më e lume nëse mbetet siç është. Ky është mendimi im dhe unë mendoj se e kam Shpirtin e Perëndisë.

Currently Selected:

1 Korintasve 7: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in