YouVersion Logo
Search Icon

1 Korintasve 6

6
Gjyqet mes besimtarëve
1Kush nga ju, kur ka ndonjë mosmarrëveshje me një tjetër, guxon të kërkojë të gjykohet para të padrejtëve dhe jo para të shenjtëve? 2Apo nuk e dini se këta do të gjykojnë botën? Nëse ju do të gjykoni botën, a nuk mund të gjykoni gjëra më të vogla? 3A nuk e dini se ne do të gjykojmë engjëjt? Atëherë, si nuk mundemi të gjykojmë çështjet e jetës së përditshme? 4Nëse keni për të gjykuar çështje të tilla, ju caktoni si gjykatës më të papërfillshmit e kishës? 5Le t'ju vijë turp për këtë që po them! Nuk paska asnjë të urtë ndër ju që të mund të gjykojë një çështje mes vëllezërve?
6Vëllai çon në gjyq vëllanë e madje para jobesimtarëve?
7Gjyqet që keni me njëri-tjetrin dëshmojnë se keni dështuar. Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë padrejtësi? Përse nuk pranoni që më mirë t'ju bëjnë dëm? 8Përkundrazi, ju vetë u bëni padrejtësi e u shkaktoni dëm të tjerëve, madje edhe vetë vëllezërve.
9Apo nuk e dini se të padrejtët nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë? Mos u mashtroni! As kurvarët, as idhujtarët, as ata që bëjnë tradhti bashkëshortore, as të zhburrëruarit, as ata që shkojnë me meshkuj, 10as vjedhësit, as lakmitarët, as pijanecët, as shpifësit, as zhvatësit nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë. 11Dhe të tillë ishit disa prej jush, por u latë, u shenjtëruat dhe u bëtë të drejtë në emër të Zotit Jezu Krisht dhe nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë tonë.
Përlëvdoni me trupat tuaj
12Disa thonë: «Gjithçka më lejohet». Po, por jo gjithçka është e dobishme. Gjithçka më lejohet, por unë nuk do të sundohem nga asgjë. 13Thonë edhe: «Ushqimi është për barkun dhe barku për ushqimin». Por Perëndia do ta shkatërrojë edhe barkun, edhe ushqimin. Trupi nuk është për kurvëri, por për Zotin dhe Zoti për trupin. 14Perëndia do të na ngjallë edhe ne me fuqinë e tij, ashtu siç ngjalli Zotin.
15A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? T'i marr, pra, gjymtyrët e Krishtit e t'i bëj gjymtyrë të lavires? Larg qoftë! 16Apo nuk e dini se ai që bashkohet me një lavire bëhet një trup me të? Se që të dy do të jenë një trup i vetëm. 17Ai që bashkohet me Zotin, bëhet një shpirt me të.
18Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat tjetër që bën njeriu është jashtë trupit, ndërsa ai që kurvëron, mëkaton kundër vetë trupit të tij. 19Apo nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Shpirtit të shenjtë që është në ju dhe që jua dha Perëndia dhe se ju nuk i përkisni vetes tuaj? 20Perëndia ju bleu me një çmim. Përlëvdojeni, pra, Perëndinë në trupin tuaj#6.20 dorëshk. të tjera edhe: dhe me shpirtin tuaj, që i përkasin Perëndisë!

Currently Selected:

1 Korintasve 6: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in