1 Korintasve 2:9-16
1 Korintasve 2:9-16 AL1
Por, siç është shkruar: ato gjëra që syri nuk i pa e veshi nuk i dëgjoi dhe që nuk hynë në zemrën e njeriut, Perëndia i ka përgatitur për ata që e duan. Ndërsa neve Perëndia na i zbuloi nëpërmjet Shpirtit, sepse Shpirti shqyrton gjithçka, madje edhe vetë thellësitë e Perëndisë. Kush i njeh të fshehtat e njeriut, përveç shpirtit të tij? Po kështu edhe të fshehtat e Perëndisë nuk i njeh askush, përveç Shpirtit të Perëndisë. Ne nuk kemi marrë shpirtin e kësaj bote, por Shpirtin që vjen nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar prej tij. Këto që themi, nuk i kemi nga fjalë të mësuara me urti njerëzore, por nga fjalë të mësuara prej Shpirtit, duke ua shtjelluar gjërat shpirtërore atyre që kanë marrë Shpirtin e shenjtë. Njeriu që nuk e ka marrë Shpirtin e shenjtë, nuk i pranon të vërtetat e Shpirtit të Perëndisë. I duken marrëzi e nuk mund t'i kuptojë, sepse ato duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore. Ndërsa njeriu që e ka marrë Shpirtin e shenjtë, kupton gjithçka e askush nuk mund ta kuptojë gjykimin e tij, sepse, kush i njohu mendimet e Zotit, që t'i japë mend atij? Por ne kemi mendjen e Krishtit.