YouVersion Logo
Search Icon

1 Korintasve 2

2
Vetëm Krishtin e kryqëzuar
1Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju për t'ju shpallur shestimin e fshehtë të Perëndisë, nuk erdha me fjalë të mëdha apo me urti të madhe. 2Sepse e gjykova të drejtë që të mos ju mësoja#2.2 ose: të mos di asgjë tjetër, përveç Jezu Krishtit dhe madje, Jezu Krishtit të kryqëzuar.
3Prandaj erdha te ju me dobësi, me frikë dhe me tmerr. 4Fjalët e mia dhe predikimi im nuk u mbështetën në fjalë bindëse plot urti, por në dëftimin e Shpirtit dhe të fuqisë së Perëndisë, 5që besimi juaj të mos mbështetet në urtinë njerëzore, por në fuqinë e Perëndisë.
Zbulesa nga Shpirti i shenjtë
6Megjithatë ne u flasim për urti atyre që janë të pjekur shpirtërisht, por jo për urtinë e kësaj epoke e as për urtinë e prijësve të kësaj bote që shkojnë drejt shkatërrimit. 7Ne flasim për urtinë e shestimit të Perëndisë, të fshehur për njerëzit, por që ai e kishte paracaktuar përpara kësaj jete, që ne të marrim pjesë në lavdinë e tij. 8Asnjë nga prijësit e kësaj bote nuk e ka njohur këtë urti, sepse po ta njihnin, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. 9Por, siç është shkruar:
ato gjëra
që syri nuk i pa
e veshi nuk i dëgjoi
dhe që nuk hynë
në zemrën e njeriut,
Perëndia i ka përgatitur
për ata që e duan.
10Ndërsa neve Perëndia na i zbuloi nëpërmjet Shpirtit, sepse Shpirti shqyrton gjithçka, madje edhe vetë thellësitë e Perëndisë. 11Kush i njeh të fshehtat e njeriut, përveç shpirtit të tij? Po kështu edhe të fshehtat e Perëndisë nuk i njeh askush, përveç Shpirtit të Perëndisë. 12Ne nuk kemi marrë shpirtin e kësaj bote, por Shpirtin që vjen nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar prej tij.
13Këto që themi, nuk i kemi nga fjalë të mësuara me urti njerëzore, por nga fjalë të mësuara prej Shpirtit, duke ua shtjelluar gjërat shpirtërore atyre që kanë marrë Shpirtin e shenjtë. 14Njeriu që nuk e ka marrë Shpirtin e shenjtë#2.14 ose: njeriu natyror, nuk i pranon të vërtetat e Shpirtit të Perëndisë. I duken marrëzi e nuk mund t'i kuptojë, sepse ato duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore. 15Ndërsa njeriu që e ka marrë Shpirtin e shenjtë, kupton gjithçka e askush nuk mund ta kuptojë gjykimin e tij,
16sepse, kush i njohu mendimet e Zotit,
që t'i japë mend atij?
Por ne kemi mendjen e Krishtit.

Currently Selected:

1 Korintasve 2: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in