Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruthi 2:8-20

Ruthi 2:8-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Boazi i tha Rutës: «Dëgjo, bija ime! Mos shko në tjetër arë për të mbledhur kallinj, por qëndro në këtë arë me shërbëtoret e mia. Mbaji sytë tek ara ku korrin dhe shko pas tyre. U kam dhënë urdhër shërbëtorëve që mos të të prekin. Po të kesh etje, shko të pish te shtambat që mbushin ata». Atëherë ajo u përkul me nderim përdhe e i tha: «Si kam gjetur hir para teje që po kujdesesh për mua, një të huaj?». Boazi iu përgjigj: «Më treguan gjithçka bëre për vjehrrën tënde pasi të vdiq burri, si le atin, nënën dhe tokën e të parëve të tu dhe erdhe te një popull që nuk e njihje më parë. ZOTI të shpërbleftë për çfarë ke bërë dhe marrsh shpërblim të plotë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit ke ardhur për të gjetur strehë!». Ruta i tha: «Gjetsha hir para teje, imzot, sepse më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores tënde, megjithëse unë nuk jam një nga shërbëtoret e tua». Kur erdhi koha për të ngrënë, Boazi i tha: «Eja këtu e ha pak bukë dhe ngjyeje kafshatën në uthull». Ajo u ul pranë korrësve dhe Boazi i dha kaçamak. Ruta hëngri, u ngop e i teproi. Kur Ruta u ngrit për të mbledhur kallinj, Boazi i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Lëreni të mbledhë kallinj edhe mes duajve e mos i thoni gjë. Këpusni edhe disa kallinj për të dhe lërini që t'i mbledhë, por mos i thoni gjë». Ruta mblodhi kallinj në fushë deri në darkë. Pastaj i shiu kallinjtë që kishte mbledhur dhe u bënë rreth tridhjetë kilogramë elb. E ngarkoi, shkoi në qytet dhe i tregoi vjehrrës ç'kishte mbledhur. Pastaj nxori çfarë i kishte tepruar nga dreka e ia dha. E vjehrra i tha: «Ku mblodhe kallinj sot? Ku punove? Bekuar qoftë ai që u kujdes për ty!». Atëherë Ruta i tregoi së vjehrrës se te kush kishte punuar e i tha: «Sot punova te një njeri që quhej Boaz». Dhe Naomi i tha të resë: «Atë e bekoftë ZOTI që nuk ka hequr dorë nga mirësia për të gjallët e për të vdekurit!». Pastaj i tha: «Është i afërmi ynë, një nga ata që kanë të drejtën të kujdesen për ne».

Ruthi 2:8-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Boazi i tha Ruthit: "Dëgjo, bija ime, mos shko në ndonjë arë tjetër për të mbledhur kallinjtë që kanë mbetur, mos u largo që këtej, por rri me shërbëtoret e mia. Mbaj sytë në arën që po korrin dhe shko prapa korrësve. A nuk i kam urdhëruar shërbyesit e mi të mos të të bezdisin? Kur ke etje, shko atje ku janë shtambat, për të pirë ujin që kanë nxjerrë shërbëtorët". Atëherë Ruthi u shtri përdhe, duke rënë përmbys me fytyrën për tokë dhe i tha: "Për çfarë arsye kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?". Boazi iu përgjigj duke thënë: "Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, dhe si ke lënë atin tënd, nënën tënde dhe vendlindjen tënde, për të jetuar me një popull që nuk e njihje më parë. Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perëndisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh!". Ajo i tha: "Le të arrij të më shikosh me sy të mirë, o imzot, sepse ti më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores sate, megjithëse unë nuk jam as sa një nga shërbëtoret e tua". Në kohën e drekës Boazi i tha: "Eja këtu, ha bukë dhe ngjyeje kafshatën tënde në uthull". Kështu ajo u ul midis korrësve. Boazi i ofroi grurë të pjekur, dhe ajo hëngri sa u ngop dhe vuri mënjanë tepricat. Pastaj u ngrit për të vazhduar mbledhjen e kallinjve që kishin mbetur, dhe Boazi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij duke thënë: "Lëreni të vazhdojë të mbledhë kallinjtë edhe midis duajve dhe mos e qortoni; përveç kësaj lini që të bien për të kallinj nga dorëza dhe mos i merrni, me qëllim që t'i mbledhë ajo, dhe mos i bërtisni". Pastaj ajo vazhdoi të mbledhë kallinj në arë deri në mbrëmje, pastaj shiu atë që kishte mbledhur dhe siguroi pothuaj një efë elbi. E ngarkoi në kurriz, hyri në qytet dhe e vjehrra pa atë që kishte mbledhur. Pastaj Ruthi nxori atë që kishte tepruar nga ushqimi pasi ajo ishte ngopur dhe ia dha. E vjehrra e pyeti: "Ku i ke mbledhur kallinjtë sot? Ku ke punuar? Bekuar qoftë ai që tregoi kujdes për ty!". Kështu Ruthi i tregoi së vjehrrës pranë kujt kishte punuar dhe shtoi: "Njeriu pranë të cilit punova sot quhet Boaz". Naomi i tha nuses: "Qoftë i bekuar nga Zoti ai që nuk e ka hequr mirësinë e tij nga të gjallët dhe të vdekurit". Dhe shtoi: "Ky njeri është një i afërti ynë i ngushtë, një njeri që ka të drejtë të na shpengojë".