Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruta 2:8-20

Ruta 2:8-20 AL1

Atëherë Boazi i tha Rutës: «Dëgjo, bija ime! Mos shko në tjetër arë për të mbledhur kallinj, por qëndro në këtë arë me shërbëtoret e mia. Mbaji sytë tek ara ku korrin dhe shko pas tyre. U kam dhënë urdhër shërbëtorëve që mos të të prekin. Po të kesh etje, shko të pish te shtambat që mbushin ata». Atëherë ajo u përkul me nderim përdhe e i tha: «Si kam gjetur hir para teje që po kujdesesh për mua, një të huaj?». Boazi iu përgjigj: «Më treguan gjithçka bëre për vjehrrën tënde pasi të vdiq burri, si le atin, nënën dhe tokën e të parëve të tu dhe erdhe te një popull që nuk e njihje më parë. ZOTI të shpërbleftë për çfarë ke bërë dhe marrsh shpërblim të plotë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit ke ardhur për të gjetur strehë!». Ruta i tha: «Gjetsha hir para teje, imzot, sepse më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores tënde, megjithëse unë nuk jam një nga shërbëtoret e tua». Kur erdhi koha për të ngrënë, Boazi i tha: «Eja këtu e ha pak bukë dhe ngjyeje kafshatën në uthull». Ajo u ul pranë korrësve dhe Boazi i dha kaçamak. Ruta hëngri, u ngop e i teproi. Kur Ruta u ngrit për të mbledhur kallinj, Boazi i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Lëreni të mbledhë kallinj edhe mes duajve e mos i thoni gjë. Këpusni edhe disa kallinj për të dhe lërini që t'i mbledhë, por mos i thoni gjë». Ruta mblodhi kallinj në fushë deri në darkë. Pastaj i shiu kallinjtë që kishte mbledhur dhe u bënë rreth tridhjetë kilogramë elb. E ngarkoi, shkoi në qytet dhe i tregoi vjehrrës ç'kishte mbledhur. Pastaj nxori çfarë i kishte tepruar nga dreka e ia dha. E vjehrra i tha: «Ku mblodhe kallinj sot? Ku punove? Bekuar qoftë ai që u kujdes për ty!». Atëherë Ruta i tregoi së vjehrrës se te kush kishte punuar e i tha: «Sot punova te një njeri që quhej Boaz». Dhe Naomi i tha të resë: «Atë e bekoftë ZOTI që nuk ka hequr dorë nga mirësia për të gjallët e për të vdekurit!». Pastaj i tha: «Është i afërmi ynë, një nga ata që kanë të drejtën të kujdesen për ne».