Romakëve 8:28-39
Romakëve 8:28-39 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t'u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi. Ç'të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër? Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë. Kush është ai që do t'i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë e ndërmjetëson për ne. Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mos vallë pikëllimi a hidhërimi, përndjekja a uria, të zhveshurit a rreziku apo shpata? Sikurse është shkruar: për ty po na vrasin tërë ditën e na trajtojnë si dele për t'u therur. Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi. Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet, as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë që u tregua në Krishtin Jezu, Zotit tonë.
Romakëve 8:28-39 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi. Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të? Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson. Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne. Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: ''Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje''. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.