Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 8

8
1Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,
2sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
3Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,
4që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.
5Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës.
6Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe.
7Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.
8Prandaj ata që janë në mish nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë.
9Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.
10Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë.
11Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju.
12Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit, që të rrojmë sipas mishit,
13sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni.
14Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.
15Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ''Aba, o Atë!''.
16Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë.
17Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë me të dhe përlëvdohemi me të.
18Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne.
19Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë,
20sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi,
21me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.
22Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.
23Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë.
24Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë?
25Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s'e shohim, atë gjë e presim me durim.
26Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme.
27Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë.
28Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.
29Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve.
30Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.
31Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?
32Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?
33Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.
34Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.
35Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?
36Siç është shkruar: ''Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje''.
37Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi.
38Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,
39as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Romakëve 8: ALBB

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr