Romakëve 8:26-34
Romakëve 8:26-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Po ashtu edhe Shpirti na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme. Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është synimi i Shpirtit, sepse ai ndërmjetëson për të shenjtët siç i pëlqen Perëndisë. Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t'u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi. Ç'të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër? Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë. Kush është ai që do t'i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë e ndërmjetëson për ne.
Romakëve 8:26-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë. Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi. Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të? Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson. Kush është ai që do t'i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.