Romakëve 8:18-30
Romakëve 8:18-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen. Gjithçka e krijuar nga Perëndia pret me padurim që ai të shfaqë bijtë e tij. Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, por për shkak të atij që e nënshtroi. Megjithatë ka shpresë se gjithçka e krijuar do të çlirohet nga robëria e kalbjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes; dhe jo vetëm gjithçka e krijuar, por edhe vetë ne që i kemi marrë frytet e para të Shpirtit rënkojmë përbrenda vetes, duke pritur me padurim birësimin dhe shpengimin e trupave tanë. Sepse u shpëtuam me anë të shpresës, por shpresa që shihet nuk është shpresë. Përse duhet ta shpresojë njeriu atë që sheh? Por nëse e shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me durim. Po ashtu edhe Shpirti na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme. Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është synimi i Shpirtit, sepse ai ndërmjetëson për të shenjtët siç i pëlqen Perëndisë. Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t'u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi.
Romakëve 8:18-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne. Sepse dëshira e flaktë e krijesës pret me padurim shfaqjen e bijve të Perëndisë, sepse krijesa iu nënshtrua kotësisë, jo me vullnetin e vet, po për shkak të atij që e nënshtroi, me shpresë që vetë krijesa të çlirohet nga skllavëria e prishjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. Sepse e dimë se deri tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim. Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë. Sepse me shpresë ne shpëtuam; por shpresa që duket nuk është shpresë, sepse atë që dikush e sheh si mundet edhe ta shpresojë? Por në qoftë se ne shpresojmë atë që s'e shohim, atë gjë e presim me durim. Kështu, pra, edhe Fryma na ndihmon në dobësitë tona, sepse ne nuk dimë çfarë të kërkojmë në lutjet tona, sikurse duhet; por vetë Fryma ndërhyn për ne me psherëtima të patregueshme. Dhe ai që heton zemrat e di cila është mendja e Frymës, sepse ai ndërhyn për shenjtorët, sipas Perëndisë. Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi.