Romakëve 8:1-14
Romakëve 8:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës, sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish, që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës. Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës. Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontrolluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe. Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj ata që janë në mish nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë. Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij. Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë. Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju. Prandaj, vëllezër, ne jemi debitorë jo të mishit, që të rrojmë sipas mishit, sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni. Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.
Romakëve 8:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Prandaj, tanimë nuk ka asnjë dënim për ata që i përkasin Krishtit Jezu, sepse ligji i Shpirtit që jep jetë përmes Krishtit Jezu, ju çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. Atë që nuk mund ta bënte ligji për shkak të dobësisë njerëzore, e bëri Perëndia duke dërguar Birin e vet në përngjasim me dobësinë njerëzore mëkatare. Për sa i takon mëkatit, ai e ndëshkoi mëkatin në dobësinë njerëzore, në mënyrë që kërkesat e drejta të ligjit të përmbushen në ne që nuk jetojmë sipas dobësisë njerëzore, por sipas Shpirtit. Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e dobësisë njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit. Mendja te gjërat e dobësisë njerëzore të çon në vdekje, ndërsa mendja te gjërat e Shpirtit të çon në jetë dhe paqe. Prandaj mendja te gjërat e dobësisë njerëzore është në armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë. Ju nuk jetoni sipas dobësisë njerëzore, por jetoni në Shpirt, përderisa Shpirti i Perëndisë banon në ju. Nëse ndonjë nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit. Nëse Krishti është në ju, trupi juaj do të vdesë për shkak të mëkatit, por Shpirti ju jep jetë, për shkak se Perëndia ju ka bërë të drejtë. Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju. Prandaj, o vëllezër, detyrimi që kemi nuk është kundrejt dobësisë njerëzore për të jetuar sipas saj. Nëse jetoni sipas dobësisë njerëzore, ju do të vdisni; por nëse me anë të Shpirtit do t'i shkatërroni për vdekje veprat e dobësisë njerëzore, ju do të jetoni. Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë.