Romakëve 5:12-21
Romakëve 5:12-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu e nëpërmjet mëkatit hyri vdekja. Kështu vdekja depërtoi te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan. Në të vërtetë, mëkati ishte në botë edhe përpara se të jepej ligji, mirëpo mëkati nuk njihej si i tillë përderisa nuk kishte ligj. Megjithatë, që nga Adami deri te Moisiu, vdekja mbretëroi edhe mbi ata që nuk bënë të njëjtin mëkat si të Adamit, i cili shkeli urdhërimin e Perëndisë. Adami është gjedha e atij që do të vinte. Por dhurata e hirit të Perëndisë nuk mund të krahasohet me shkeljen e Adamit. Nëse prej shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën të gjithë, aq më shumë do të teprojnë për të gjithë hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e bërë nga një njeri i vetëm, Jezu Krishti. Dhurata e Perëndisë nuk është si e keqja që solli mëkati i një njeriu; sepse gjykimi që erdhi nga mëkati i një njeriu solli ndëshkim; ndërsa dhurata e hirit që na u dha pas shumë shkeljesh, na bëri të drejtë. Nëse vdekja mbretëroi përmes një njeriu të vetëm për shkak të shkeljes së tij, aq më tepër do të mbretërojnë në jetë ata që përmes një njeriu, Jezu Krishtit, marrin hirin e begatë dhe dhuratën e Perëndisë, që na bën të drejtë. Prandaj, sikurse përmes shkeljes së një njeriu të vetëm erdhi ndëshkimi për të gjithë njerëzit, ashtu edhe përmes veprës së drejtë të një njeriu Perëndia i bën të drejtë e u jep jetë të gjithë njerëzve. Sikurse përmes mosbindjes së një njeriu të vetëm të gjithë u bënë mëkatarë, ashtu edhe përmes bindjes së një njeriu të vetëm të gjithë do të bëhen të drejtë. Por kur erdhi ligji, u pa sesa të shumta ishin shkeljet. Mirëpo, aty ku mëkati ishte i shumtë, edhe më i shumtë ishte hiri i Perëndisë. Kështu, sikurse mëkati mbretëroi me anë të vdekjes, ashtu do të mbretërojë edhe hiri, duke na bërë të drejtë për të na çuar në jetën e amshuar përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Romakëve 5:12-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan; sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj; por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte. Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë. Sa për dhuntinë, nuk ndodhi si për atë një që mëkatoi, sepse gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme, por hiri prodhoi shfajësimin nga shumë shkelje. Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit. Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës. Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë. Por ligj i ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt, me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.