Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu e nëpërmjet mëkatit hyri vdekja. Kështu vdekja depërtoi te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan. Në të vërtetë, mëkati ishte në botë edhe përpara se të jepej ligji, mirëpo mëkati nuk njihej si i tillë përderisa nuk kishte ligj. Megjithatë, që nga Adami deri te Moisiu, vdekja mbretëroi edhe mbi ata që nuk bënë të njëjtin mëkat si të Adamit, i cili shkeli urdhërimin e Perëndisë. Adami është gjedha e atij që do të vinte. Por dhurata e hirit të Perëndisë nuk mund të krahasohet me shkeljen e Adamit. Nëse prej shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën të gjithë, aq më shumë do të teprojnë për të gjithë hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e bërë nga një njeri i vetëm, Jezu Krishti. Dhurata e Perëndisë nuk është si e keqja që solli mëkati i një njeriu; sepse gjykimi që erdhi nga mëkati i një njeriu solli ndëshkim; ndërsa dhurata e hirit që na u dha pas shumë shkeljesh, na bëri të drejtë. Nëse vdekja mbretëroi përmes një njeriu të vetëm për shkak të shkeljes së tij, aq më tepër do të mbretërojnë në jetë ata që përmes një njeriu, Jezu Krishtit, marrin hirin e begatë dhe dhuratën e Perëndisë, që na bën të drejtë. Prandaj, sikurse përmes shkeljes së një njeriu të vetëm erdhi ndëshkimi për të gjithë njerëzit, ashtu edhe përmes veprës së drejtë të një njeriu Perëndia i bën të drejtë e u jep jetë të gjithë njerëzve. Sikurse përmes mosbindjes së një njeriu të vetëm të gjithë u bënë mëkatarë, ashtu edhe përmes bindjes së një njeriu të vetëm të gjithë do të bëhen të drejtë. Por kur erdhi ligji, u pa sesa të shumta ishin shkeljet. Mirëpo, aty ku mëkati ishte i shumtë, edhe më i shumtë ishte hiri i Perëndisë. Kështu, sikurse mëkati mbretëroi me anë të vdekjes, ashtu do të mbretërojë edhe hiri, duke na bërë të drejtë për të na çuar në jetën e amshuar përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë.
Lexo Romakëve 5
Dëgjoj Romakëve 5
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Romakëve 5:12-21
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video