Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 3:1-13

Zbulesa 3:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: kështu thotë ai që ka shtatë shpirtrat e Perëndisë dhe shtatë yjet: i njoh veprat e tua. Thuhet se jeton, por je i vdekur. Rri zgjuar e jepu forcë të tjerëve, atyre që janë në prag të vdekjes, se veprat e tua para Perëndisë nuk i gjeta të përsosura. Kujto çfarë ke marrë dhe ke dëgjuar! Zbatoji e pendohu! Po të mos zgjohesh do të vij si vjedhës dhe nuk do ta dish orën kur kam për të ardhur kundër teje. Por ka disa nga ju në Sardë që nuk i keni përlyer rrobat. Ju do të jetoni me mua veshur me të bardha, sepse jeni të denjë. Ai që fiton do të vishet me rroba të bardha. Emrin e tij nuk do ta fshij nga libri i jetës, por do ta rrëfej para Atit tim dhe para engjëjve të tij. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti». «Engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji: kështu thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap e askush nuk mund të mbyllë, ai që mbyll e askush nuk mund të hapë: i njoh veprat e tua. E di që nuk ke shumë fuqi, megjithatë e ke zbatuar fjalën time dhe nuk e ke mohuar emrin tim. Ja tek kam vënë para teje një derë të hapur, që askush nuk mund ta mbyllë. Ja se ç'do t'u bëj atyre nga sinagoga e Satanit që thonë se janë judenj, por nuk janë dhe gënjejnë. Do t'i bëj të vijnë e të bien në gjunjë para këmbëve të tua, që ta marrin vesh se unë të kam dashur. Ti e ke zbatuar fjalën time dhe ke bërë durim, prandaj edhe unë do të të ruaj nga sprova e ardhshme që do të vijë mbi gjithë botën për të sprovuar banorët e tokës. Po vij shpejt. Mbaji fort ato që ke, që askush mos të ta rrëmbejë kurorën. Atë që fiton, do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim dhe ai nuk do të dalë kurrë jashtë tij. Në të do të shkruaj emrin e Perëndisë tim dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jerusalemit të ri, që zbret prej qiellit nga Perëndia im. Do të shkruaj edhe emrin tim të ri. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».

Zbulesa 3:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Dhe engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: këto gjëra thotë ai që ka të shtatë Frymërat e Perëndisë dhe të shtatë yjet. Unë i di veprat e tua; ti ke emrin se jeton, por je i vdekur. Ji syçelë dhe forco mbetjen e gjërave që gati po vdesin, sepse nuk i gjeta të përkryera veprat e tua përpara Perëndisë tim. Kujto, pra, atë që more dhe dëgjove, dhe ruaje edhe pendohu. Po të mos rrish zgjuar, unë do të vij te ti si vjedhës, dhe nuk do të dish në ç'orë do të vij te ti. Por ke disa veta në Sardë, që nuk i ndotën petkat e tyre; edhe do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë. Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave''. ''Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap. Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim. Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten judenj, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do t'i bëj të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe do të njohin se unë të kam dashur. Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe. Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde. Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë