Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 3

3
Për kishën e Sardës
1«Engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: kështu thotë ai që ka shtatë shpirtrat e Perëndisë dhe shtatë yjet: i njoh veprat e tua. Thuhet se jeton, por je i vdekur. 2Rri zgjuar e jepu forcë të tjerëve, atyre që janë në prag të vdekjes, se veprat e tua para Perëndisë nuk i gjeta të përsosura. 3Kujto çfarë ke marrë dhe ke dëgjuar! Zbatoji e pendohu! Po të mos zgjohesh do të vij si vjedhës dhe nuk do ta dish orën kur kam për të ardhur kundër teje.
4Por ka disa nga ju në Sardë që nuk i keni përlyer rrobat. Ju do të jetoni me mua veshur me të bardha, sepse jeni të denjë. 5Ai që fiton do të vishet me rroba të bardha. Emrin e tij nuk do ta fshij nga libri i jetës, por do ta rrëfej para Atit tim dhe para engjëjve të tij.
6Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».
Për kishën e Filadelfisë
7«Engjëllit të kishës në Filadelfi shkruaji:
kështu thotë
i Shenjti, i Vërteti,
ai që ka çelësin e Davidit,
ai që hap e askush nuk mund të mbyllë,
ai që mbyll e askush nuk mund të hapë:
8i njoh veprat e tua. E di që nuk ke shumë fuqi, megjithatë e ke zbatuar fjalën time dhe nuk e ke mohuar emrin tim. Ja tek kam vënë para teje një derë të hapur, që askush nuk mund ta mbyllë. 9Ja se ç'do t'u bëj atyre nga sinagoga e Satanit që thonë se janë judenj, por nuk janë dhe gënjejnë. Do t'i bëj të vijnë e të bien në gjunjë para këmbëve të tua, që ta marrin vesh se unë të kam dashur.
10Ti e ke zbatuar fjalën time dhe ke bërë durim, prandaj edhe unë do të të ruaj nga sprova e ardhshme që do të vijë mbi gjithë botën për të sprovuar banorët e tokës. 11Po vij shpejt. Mbaji fort ato që ke, që askush mos të ta rrëmbejë kurorën.
12Atë që fiton, do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim dhe ai nuk do të dalë kurrë jashtë tij. Në të do të shkruaj emrin e Perëndisë tim dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jerusalemit të ri, që zbret prej qiellit nga Perëndia im. Do të shkruaj edhe emrin tim të ri.
13Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».
Për kishën e Laodicesë
14«Engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: kështu thotë Amen-i, dëshmitari besnik dhe i vërtetë, burimi#3.14 ose: fillimi i çdo gjëje të krijuar nga Perëndia: 15i njoh veprat e tua. Nuk je as i ftohtë, as i nxehtë. Sa mirë do të ishte të ishe i ftohtë ose i nxehtë! 16Por meqenëse je kështu i vakët, as i nxehtë, as i ftohtë, do të të vjell nga goja. 17Ti thua: “Jam i pasur dhe kam vënë pasuri të madhe. Nuk kam nevojë për asgjë”. Por ti nuk e di që je i mjerë e i gjorë, i varfër, i verbër e i zhveshur.
18Të këshilloj të blesh nga unë ar të pastruar në zjarr, që të pasurohesh, si dhe rroba të bardha që të mbulohesh e të mos duket turpi i lakuriqësisë sate. Lyej edhe sytë me kolir që të shohësh.
19Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që dua. Ji, pra, i zellshëm e pendohu! 20Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas. Nëse dikush ma dëgjon zërin e ma hap derën, unë do të hyj e do të ha darkë me të dhe ai me mua. 21Atë që fiton do ta vë të ulet me mua në fronin tim, ashtu siç fitova unë dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.
22Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».

Aktualisht i përzgjedhur:

Zbulesa 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë