Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 2:12-29

Zbulesa 2:12-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji: kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: e di ku banon, atje ku është froni i Satanit. E ke ruajtur emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin në mua edhe gjatë ditëve të Antipës, dëshmitarit tim besnik, që u vra mes jush atje ku banon Satani. Por kam disa gjëra kundër teje. Ke aty disa që ndjekin mësimin e Balaamit, që e mësonte Balakun t'u bëhej pengesë bijve të Izraelit, t'i bënte të hanin flijime idhujsh e të jepeshin pas kurvërisë. Ke edhe nga ata që ndjekin mësimin e nikolaitëve. Pendohu, pra! Përndryshe do të vij së shpejti e do t'i luftoj me shpatën e gojës sime. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti: atij që fiton do t'i jap nga mana e fshehur. Do t'i jap edhe një gur të bardhë, ku do të jetë shkruar një emër i ri që askush nuk e di, përveç atij që e merr». «Engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: kështu thotë Biri i Perëndisë, ai që i ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e të cilit ngjajnë me bronz të kulluar: i njoh veprat e tua, dashurinë, besimin, shërbimin dhe durimin tënd. Di edhe që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. Por kam diçka kundër teje. Ti lejon Izebelën, një grua që e quan veten profeteshë, të mësojë e të mashtrojë shërbëtorët e mi, duke i shtyrë të jepen pas kurvërisë e të hanë flijime idhujsh. I dhashë kohë të pendohet, por ajo nuk dëshiron të heqë dorë nga kurvëria e saj. Ja, unë do ta bëj të zërë shtratin dhe ata që bëjnë tradhti bashkëshortore me të do të kenë vuajtje të mëdha nëse nuk pendohen për ato që bëjnë. Bijtë e saj do t'i ndëshkoj me vdekje dhe le ta marrin vesh të gjitha kishat se unë jam ai që shqyrton mendimet dhe dëshirat. Secilit prej jush do t'i jap sipas veprave të veta. Ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk i ndiqni mësimet e saj e nuk i njihni ato që i quajnë “thellësitë e Satanit”, nuk do t'ju vë barrë tjetër, por mbani fort ato që keni, derisa të kthehem unë. Atij që fiton dhe bën deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet, të cilat ai do t'i udhëheqë me skeptër të hekurt e do t'i thyejë si enë balte, ashtu siç e mora edhe unë pushtetin nga Ati im. Atij do t'i jap edhe yllin e mëngjesit. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti».

Zbulesa 2:12-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Dhe engjëllit të kishës në Pergam, shkruaji: Këto gjëra thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: Unë i di veprat e tua dhe ku banon, atje ku është froni i Satanit; dhe ti mbahesh fort tek emri im dhe nuk e mohove besimin në mua, edhe në ato ditë kur Antipa, dëshmitari im, besnik, u vra midis jush, atje ku banon Satani. Por kam disa gjëra kundër teje: sepse ke aty disa që mbajnë mësimin e Balaamit, i cili e mësoi Balakun t'u vërë një gurë pengese përpara bijve të Izraelit që të hanë flijime idhujsh dhe të kurvërojnë. Kështu ti ke edhe disa që mbajnë mësimin e nikolaitëve, të cilën gjë e urrej. Pendohu, përndryshe do të vij së shpejti te ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kujt fiton do t'i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t'i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s'e njeh askush, përveç atij që e merr''. ''Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashëm me bronz të shkëlqyeshëm. Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t'i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijuara idhujve. Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua. Ja, unë e flak atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre. Dhe do t'i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t'i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta. Por juve dhe të tjerëve që janë në Tiatirë, që nuk kanë këtë doktrinë dhe nuk i kanë njohur thellësirat e Satanit, siç e quajnë ata, unë them: nuk do të vë barrë tjetër mbi ju; por mbajeni fort atë që keni, derisa të vij. Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet; dhe ai do t'i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet prej Atit tim; dhe unë do t'i jap atij yllin e mëngjesit. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë