Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 2:12-29

Zbulesa 2:12-29 ALBB

''Dhe engjëllit të kishës në Pergam, shkruaji: Këto gjëra thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe: Unë i di veprat e tua dhe ku banon, atje ku është froni i Satanit; dhe ti mbahesh fort tek emri im dhe nuk e mohove besimin në mua, edhe në ato ditë kur Antipa, dëshmitari im, besnik, u vra midis jush, atje ku banon Satani. Por kam disa gjëra kundër teje: sepse ke aty disa që mbajnë mësimin e Balaamit, i cili e mësoi Balakun t'u vërë një gurë pengese përpara bijve të Izraelit që të hanë flijime idhujsh dhe të kurvërojnë. Kështu ti ke edhe disa që mbajnë mësimin e nikolaitëve, të cilën gjë e urrej. Pendohu, përndryshe do të vij së shpejti te ti dhe do të luftoj kundër tyre me shpatën e gojës sime. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave: kujt fiton do t'i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t'i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s'e njeh askush, përveç atij që e merr''. ''Edhe engjëllit të kishës në Tiatirë shkruaji: Këto gjëra thotë Biri i Perëndisë, ai që ka sytë si flakë zjarri dhe këmbët e tij janë të ngjashëm me bronz të shkëlqyeshëm. Unë i njoh veprat e tua, dashurinë tënde, besimin tënd, shërbimin tënd, durimin tënd dhe di që veprat e tua të fundit janë më të shumta se të parat. Por kam disa gjëra kundër teje, sepse ti e lejon gruan Jezabel, që e quan veten profeteshë, të mësojë dhe t'i mashtrojë shërbëtorët e mi të kurvërojnë dhe të hanë gjëra të flijuara idhujve. Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë e saj, por ajo nuk u pendua. Ja, unë e flak atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre. Dhe do t'i godas me vdekje bijtë e saj; dhe të gjitha kishat do të njohin se unë jam ai që heton mendjet dhe zemrat; dhe do t'i jap gjithsecilit nga ju sipas veprave të veta. Por juve dhe të tjerëve që janë në Tiatirë, që nuk kanë këtë doktrinë dhe nuk i kanë njohur thellësirat e Satanit, siç e quajnë ata, unë them: nuk do të vë barrë tjetër mbi ju; por mbajeni fort atë që keni, derisa të vij. Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet; dhe ai do t'i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet prej Atit tim; dhe unë do t'i jap atij yllin e mëngjesit. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave''.