Psalmet 97:1-12
Psalmet 97:1-12 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Zoti mbëretënon, le të gëzohetë dheu, le të gazmohenë shumë ujdhëza. Re e njegullë ashtë rreth ati, dreitëni e gjyq ashtë të qindruemit’ e shkambit ati. Ziarrm ecën përpara ati, edhe diek rreth e rrotullë anëmiqt’ e ati. Vetimat’ e ati ndrisinë botënë; pa dheu, edhe u tund. Maletë tretenë porsi qiri prei faqesë Zotit, prei faqesë Zotit gjithë dheut. Qijetë diftojënë dreitënin’ e ati, edhe gjithë popujtë shofinë lavdin’ e ati. U turpënofshinë gjith’ ata qi lusinë të latuemetë, ata qi mburrenë ndë idhujt; lutni ate, gjithë perëndinate. Ndëgjoi Siona edhe u gëzue, edhe u gëzuenë të bijat’ e Iudësë për gjyqet e tu, o Zot. Se ti, o Zot,je i naltë mbë gjithë dhenë, fort u naltove përmbi gjithë perëndinat. Ju qi doni Zotinë, kini mëni të keqenë; ai ruen shpirtënat’ e të dreitëvet vet, shpëton ata prei dorësë të pa-besëvet. Dritë mbilletë për të dreitinë, edhe gëzim për zemërë-dreitët. Gëzohi, o të dreitë, për Zotinë, edhe lavduroni të përmendunit’ e shenjtënisë ati.
Psalmet 97:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI mbretëron, le të gëzojë toka! Le të ngazëllejnë ujdhesat e shumta! Reja e terri e mbështjellin, drejtësia dhe e drejta themeli i fronit të tij. Zjarr para tij, armiqtë rreth e qark i djeg. Vetëtimat e tij ndriçojnë botën; e sheh toka e trandet! Si dylli shkrihen malet para ZOTIT, para Zotit të mbarë tokës. Qiejt shpallin drejtësinë e tij, të gjithë popujt kundrojnë lavdinë e tij. U turpërofshin të gjithë ata që shtatoret adhurojnë, ata që me idhujt mburren! Adhurojeni Zotin gjithë ju perënditë! E dëgjoi Sioni e u gëzua, bijat e Judës u ngazëlluan, për gjykimet e tua, o ZOT. Se ti, o ZOT, je i Tejlarti mbi tërë tokën, ti u lartësove shumë më tepër se gjithë perënditë. O ju, që e doni ZOTIN, urrejeni të keqen! Ai i ruan shpirtrat e besnikëve të tij e prej dorës së të paudhëve i çliron. Drita lindi për të drejtin e gëzimi për zemërdrejtët. Ngazëlleni, o të drejtë, në ZOTIN, kujtoni e lavdëroni shenjtërinë e tij!
Psalmet 97:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj. Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij. Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark. Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet. Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës. Qiejt shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij. U ngatërrofshin të gjithë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë. Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot. Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera. Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve. Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra. Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.