Psalmet 68:1-10
Psalmet 68:1-10 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
U ngrittë Perëndia, edhe u shpërdafshin’ anëmiqt’ e ati, edhe ikshinë prei syvet ati ata qi e kanë mëni. Sikurse biretë tymi, kështu bir-i ata, sikurse tretetë qiri përpara ziarrmit, kështu u bierrshinë të pa-besëtë prei syvet Perëndisë. Por të dreitët u gëzofshinë, u gazmofshinë përpara Perëndisë, edhe u gëzofshinë me gëzim. Këndoni Perëndisë, psallni emënit ati, bani gati udhën’ ati qi ecën kaluer ndë shkreti: emëni i ati ashtë Zot, edhe gëzohi përpara ati. Ati i të vorfënivet, edhe gjyqtar i të vejavet ashtë Perëndia ndë të shenjtënueminë vendin’ e vet. Perëndia ban të vetëmitë me ndenjunë ndë shtëpi, nxier të lidhunitë me hekura ndë trimëni, por krye-ngritunitë rrinë ndë dhe të thatë. O Perëndi, kur dilshie përpara popullit t’yt, kur shkoishie ndëpër shkreti, Selah. U lëkund dheu, edhe ata qilltë rrothnë prei sysh Perëndisë, ai Sinaiu lëkund prei sysh Perëndisë, Perëndisë Israelit. O Perëndi, dërgove miaft si mbë trashigimt tand, edhe kur ishte pa fuqi, ti e forcove. Përmbëledhëja jote ndenji nd’atë, bane gati për të vobegunë me të mirënë tande, o Perëndi.
Psalmet 68:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
U ngrittë Perëndia e u shpërndafshin armiqtë e tij, ata që e urrejnë ikshin prej tij. I zhduksh ata ashtu siç davaritet tymi, siç shkrin dylli prej zjarrit, ashtu u shfarosshin të paudhët para Perëndisë. Por të drejtët gëzojnë, para Perëndisë ngazëllejnë e plot hare brohorasin. Këndojini Perëndisë, këndojini himne emrit të tij, hapini udhë atij që kalëron në shkretëtirë, ZOT është emri i tij, ngazëlleni para tij. Atë i jetimëve dhe mbrojtës i vejushave është Perëndia në banesën e tij të shenjtë. Perëndia strehon të vetmuarit, çliron të robëruarit, por kryeneçët banojnë në djerrinë. O Perëndi, kur i prive popullit tënd, kur marshove në shkretëtirë, selah toka u drodh e qiejt u zbrazën para teje, Perëndisë së Sinait, para Perëndisë së Izraelit. Shi të begatshëm dërgove, o Perëndi, trashëgiminë tënde të drobitur përtërite.
Psalmet 68:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij. Ti do t'i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë. Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi. Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; përgatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij. Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave. Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur. O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela) toka u drodh; edhe qiejt lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit. Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate. Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfrit.