Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 34:1-22

Psalmet 34:1-22 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Kam me bekuem Zotinë mbë qish do kohë, lavdurimi i ati ka me qenunë kurdo ndë gojët t’eme. Shpirti em do të mburretë mbë Zotinë, të butëtë kanë me ndëgjuem, edhe kanë me u gëzuem. Madhënoni Zotinë bashkë me mue, edhe le të naltoimë bashkë emënin’ e ati. Kërkova Zotinë, edhe më ndëgjoi, edhe më shpëtoi prei gjithë frikavet mia. Shtinë sytë mb’atë, edhe u ndritnë, edhe faqet’ e atyne s’u turpënuenë. Kyi i vobegu thërriti, edhe Zoti e ndëgjoi, edhe e shpëtoi prei gjithë shtrëgimevet ati. Engjulli i Zotit ve ushtërinë rreth atyneve qi e kanë frikë, edhe i ruen. Ngjinoni edhe shifni, se Zoti asht’ i mirë. Lum ai njeri qi shpëren mb’atë. Droni Zotinë, o shenjtënit’ e ati,se s’u mengon gja atyne qi druejën’ atë. Këlysht’ e leonëvet kanë nevojë edhe kanë uni, por ata qi kërkojënë Zotinë, s’u mengon as ndonji gja e mirë. Eni, o dielm, më ndëgjoni: kam me u mësuem frikën’ e Zotit. Qish asht’ ai njeri qi dëshëron jetë, edhe do ditt të gjata, për me pamë të mira? Ruei gjuhënë tande prej së keqesë, edhe buzët’ e tua prei të folunit gënjeshtrë. Hiqu prei së keqesë, edhe ban mirë, lyp paqtim, edhe ndiq atë. Syt’ e Zotit janë mbi të dreitët, edhe veshët’ e ati mbë të bërtitunit e atyne. Faqeja e Zotit ashtë kundrë atyne qi bajënë keq, për me bierrë të përmendunit’ e atyne prei dheut. Të dreitëtë thërritnë, edhe Zoti i ndëgjoi, edhe i shpëtoi prei gjithë shtrëngimevet atyne. Zoti ashtë ngjat atyne qi kanë zemërën’ e thyeme, edhe shpëton të përvumitë ndë shpirt. Shtrëngimet’ e të dreitit janë shumë, por Zoti ka me e shpëtuem prei gjithë këtyne. Ai ruen gjithë eshtënat’ e ati, as nji prei këtyne s’ka me u thyem. E keqeja ka me vramë fajtorinë, edhe ata qi kanë mëni të dreitinë, kanë me u bamë fajtorë. Zoti shpërblen shpirtin’ e shërbëtorëvet vet, edhe gjith’ ata qi shpërejënë mb’atë s’kanë me u shkretuem.

Psalmet 34:1-22 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

E bekoj ZOTIN në çdo kohë, lavdërimi i tij përherë në gojën time. Në ZOTIN mburret shpirti im, le të dëgjojnë skamnorët e le të gëzojnë. Madhërojeni ZOTIN bashkë me mua, le ta lartësojmë së bashku emrin e tij. E kërkova ZOTIN e ai m'u përgjigj, nga të gjitha tmerret më çliroi. E panë e u ndriçuan, fytyrat e tyre nuk u turpëruan. Ja, ky skamnor thirri dhe ZOTI e dëgjoi, nga të gjitha fatkeqësitë e çliroi. Engjëlli i ZOTIT bën roje rreth atyre që e druajnë dhe i shpëton. Shijoni e shihni se i mirë është ZOTI. Lum ai njeri që gjen strehë tek ai! Druajeni ZOTIN, o të shenjtët e tij, se atyre që e druajnë, nuk u mungon asgjë. Luanët mbeten të pangopur e të uritur, por atyre që kërkojnë ZOTIN, nuk do t'u mungojë asnjë e mirë. Ejani, o bij, e dëgjomëni, drojën e ZOTIT do t'ju mësoj. Kush është ai njeri që e dëshiron jetën, që dëshiron të shohë ditë të mira? Ruaje, pra, gjuhën prej së keqes e buzët prej fjalëve mashtruese. Largohu nga e keqja e bëj të mirën, kërko paqen e rend pas saj. Sytë e ZOTIT janë mbi të drejtët veshët e tij e dëgjojnë klithmën e tyre. Fytyra e ZOTIT u kundërvihet keqbërësve, për ta fshirë prej dheut kujtimin e tyre. ZOTI i dëgjon ata që i përgjërohen, prej të gjitha fatkeqësive i çliron. ZOTI është pranë zemërthyerve, të dërrmuarit në shpirt i shpëton. Të shumta janë mundimet e të drejtit, por ZOTI e çliron prej të gjithave. Ai i ruan tërë kockat e tyre, asnjë prej tyre nuk do të thyhet. E keqja do ta vrasë të paudhin, ata që urrejnë të drejtin do të ndëshkohen.

Psalmet 34:1-22 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time. Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen. Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij. Unë e kërkova Zotin, dhe ai m'u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia. Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan. Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij. Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron. Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai. Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij. Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë. Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t'ju mësoj frikën e Zotit. Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën? Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra. Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje. Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre. Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut. Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre. Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar. Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha. Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet. Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen. Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë tek ai nuk do të shkatërrohet.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë