Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 34:1-22

Psalmet 34:1-22 ALBB

Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time. Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen. Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij. Unë e kërkova Zotin, dhe ai m'u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia. Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan. Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij. Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron. Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai. Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij. Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë. Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t'ju mësoj frikën e Zotit. Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën? Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra. Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje. Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre. Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut. Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre. Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar. Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha. Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet. Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen. Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë tek ai nuk do të shkatërrohet.