Psalmet 18:31-40
Psalmet 18:31-40 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Sepse kush ashtë perëndi, veç Zotit? Edhe kush ashtë shkrep, veç Perëndisë t’onë? Perëndia asht’ ai qi më ngjesh fuqi, edhe ban të qirutë udhënë t’eme. Ban kambët’ e mia porsi të drenavet, edhe më qindron mbi vende të naltë. Mëson duert’ e mia ndë luftë, edhe bani krahat’ e mi hark të ramtë. Edhe më dhe mburonjën’ e shpëtimit tand, edhe e diathta jote më ndimoi, edhe të mirëtë t’at më rriti. Sgjanove hapat’ e mia përposh meje, edhe kambët’ e mia nuk’ u tuntnë. Ndoqa anëmiqt’ e mi, edhe i mbërrina, edhe nuk’ u këthyeshë der sa s’mbetnë ma. Dërrmova ata, edhe s’muftnë me u ngritunë: ranë ndënë kambët e mia Edhe më ngjeshe fuqi ndë luftë, vune ndënë kambët e mia ata qi u ngritnë kundrë meje. Edhe bane anëmiqt’ e mi të më këthejënë shpinënë, edhe prishe ata qi më kanë mëni.
Psalmet 18:31-40 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Udha e Perëndisë është e përsosur, fjala e ZOTIT e sprovuar në zjarr, ai është mburojë i të gjithë atyre që kërkojnë strehë tek ai. Kush tjetër është Perëndi veç ZOTIT? Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë? Perëndia që më dha forcë e ma bëri udhën të përsosur. Këmbët m'i bëri të shpejta si të drerit, në vende të larta më vuri të qëndroj. Duart m'i mësoi për betejë, që krahët e mi të ndejnë hark bronzi. Më dhe mburojën e shpëtimit tënd, e djathta jote m'u bë krah, mirësia jote më madhëroi. E shtrove udhën para hapave të mi e këmbët nuk më rrëshqitën. I ndoqa pas armiqtë e i zura, nuk do të kthehem pa i shkatërruar. I qëllova e më nuk ngrihen, ranë para këmbëve të mia. Më dhe forcë për të luftuar e ata që m'u ngritën kundër nën këmbë m'i përkule.
Psalmet 18:31-40 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim? Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur. Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta; ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri. Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh. Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar. I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t'i shkatërroj. I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia. Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje; ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.