Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 139:1-18

Psalmet 139:1-18 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

O Zot, më shprovove, edhe më ngjofte. Ti ngjef të ndenjunitë t’em, edhe të ngritunitë t’em; ti kupëton mendimet’ e mi çë së largu. Shikon t’ecunitë t’em, edhe të diergunitë t’em, edhe ngjef gjith’ udhët’ e mia. Se edhe pa ardhunë fjala ndë gjuhët t’eme, qe, o Zot, ti ngjef të gjitha. Më qarkon mbrapa e përpara, edhe vune dorënë tande mbi mue. Këjo dituni ashtë fort e mërekullueshime tek unë, asht’ e naltë, s’mundem me e mbërrimë ate. Ku të vete prei frymësë s’ate? Edhe ku të ikij prei faqesë s’ate? Ndë hipsha ndë qiell, tije atie; ndë rafsha ndë ferr, qe ti tek je atie; ndë marrsha fletët’ e të gëdhimesë, edhe të rri ndë fundnat të detit, edhe atie dora jote ka me më hiekun’ udhënë, edhe e diathta jote ka me më mbaitunë. Ndë thansha: Por errësina ka me më mbuluem, edhe nata ka me qenunë dritë rreth meje, edhe ajo errësina s’mbulon gja prei teje, edhe nata ndrit si dita, edhe porsi errësina, kështu edhe drita janë si nji nji te ti. Se ti bane veshnjet’ e mia, më mpështolle ndë barkut t’amësë s’eme. Kam me të lavduruem, se të gatuemitë t’em u ba me punë të frikshime e të mërekullueshime, punët’ e tua janë të mërekullueshime, edhe shpirti em fort mirëi ngjef. Eshtënat’ e mia nuk’ u mpshefnë prei teje, kur i baishie ndë të mpshefëtë, as të qenunitë t’em ndë fundnat të dheut. Syt’ e tu panë brumin’ e korpit t’em ndë fundnat të dheut. Syt’ e tu panë brumin’ e korpit t’em çë pa punuem, edhe gjithë këto qenë shkruem ndë libër tand, edhe dittë kur gatuheshinë, edhe kur nukë qe as nji prei këtyne. Fort të vëjefshim janë mendimet’ e tu për mue, o Perëndi! Fort u shumue numëri i atyne! Ndë kishiem me i numëruem, kapërcein’ edhe ranënë; çohem, edhe jam por bashkë me ty.

Psalmet 139:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia. Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht. Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua. Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij. Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty. Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë. Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë", madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje: terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty. Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënës sime. Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë. Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës. Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende. Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre! Po të doja t'i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.