Psalmet 139:1-12
Psalmet 139:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
O ZOT, ti më ke shqyrtuar e më njeh. Ti e di kur ulem e kur ngrihem, mendimet nga larg m'i kupton. Më vëzhgon kur eci e kur pushoj, gjithë udhët e mia mirë i njeh. Pa folur goja ime, ti, o ZOT, di çdo gjë. Para meje e mbrapa meje je ti, dora jote qëndron mbi mua. Mahnitëse është dija jote për mua, tepër e lartë e unë s'e arrij. Ku të shkoj larg shpirtit tënd? Ku të iki larg pranisë tënde? Po të ngjitem në qiell, atje je ti, po të dergjem në skëterrë, ti je aty. Po të merrja krahët e mëngjesit e përtej detit të shkoja, edhe atje do të më udhëhiqte dora jote, do të më mbante e djathta jote. Edhe po të thosha: «Më mbuloftë errësira e drita përreth meje u errësoftë», errësira për ty nuk është errësirë e nata ndriçon si dita; për ty errësira dhe drita janë njëlloj.
Psalmet 139:1-12 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
O Zot, më shprovove, edhe më ngjofte. Ti ngjef të ndenjunitë t’em, edhe të ngritunitë t’em; ti kupëton mendimet’ e mi çë së largu. Shikon t’ecunitë t’em, edhe të diergunitë t’em, edhe ngjef gjith’ udhët’ e mia. Se edhe pa ardhunë fjala ndë gjuhët t’eme, qe, o Zot, ti ngjef të gjitha. Më qarkon mbrapa e përpara, edhe vune dorënë tande mbi mue. Këjo dituni ashtë fort e mërekullueshime tek unë, asht’ e naltë, s’mundem me e mbërrimë ate. Ku të vete prei frymësë s’ate? Edhe ku të ikij prei faqesë s’ate? Ndë hipsha ndë qiell, tije atie; ndë rafsha ndë ferr, qe ti tek je atie; ndë marrsha fletët’ e të gëdhimesë, edhe të rri ndë fundnat të detit, edhe atie dora jote ka me më hiekun’ udhënë, edhe e diathta jote ka me më mbaitunë. Ndë thansha: Por errësina ka me më mbuluem, edhe nata ka me qenunë dritë rreth meje, edhe ajo errësina s’mbulon gja prei teje, edhe nata ndrit si dita, edhe porsi errësina, kështu edhe drita janë si nji nji te ti.
Psalmet 139:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia. Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht. Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua. Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij. Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty. Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë. Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë", madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje: terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.