Psalmet 105:1-10
Psalmet 105:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Përlëvdoni ZOTIN, thirreni emrin e tij, shpallni mes popujve veprat e tij. Këndojini atij e thurini lavde, kumtoni gjithë mrekullitë e tij. Krenohuni me emrin e tij të shenjtë, u gëzoftë zemra e atyre që kërkojnë ZOTIN. Kërkojeni ZOTIN dhe fuqinë e tij, kërkojeni përherë fytyrën e tij. Kujtoni mrekullitë që bëri, çuditë dhe gjykimet e gojës së tij, o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij. Ai është ZOTI, Perëndia ynë; mbi mbarë dheun vendimet e tij. Ai e kujton përherë besëlidhjen e tij, fjalën që urdhëroi për një mijë brezni, besëlidhjen që bëri me Abrahamin, premtimin që i dha Isakut. Ia caktoi si rregull Jakobit, Izraelit si besëlidhje përjetë
Psalmet 105:1-10 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Lavduroni Zotinë, edhe thërritni mb’emënit t’ati; diftoni kombevet punët’ e ati. Këndoni ati, edhe psallni ati, tregoni gjithë mërekullit’ e ati. Mburri mb’emënin’ e ati të shenjtënueminë, u gëzoftë zemëra e atyneve qi kërkojënë Zotinë. Kërkoni Zotinë, edhe fuqin’ e ati; kërkoni faqen’ e ati përherë. Përmendni mërekullit’ e ati, qi bani, shenjet’ e ati të frikshimetë, edhe gjyqet’ e gojës’ ati. O far’ e Abrahamit, shërbëtorit ati, o bijt’ e Iakobit, të zgjedhunit’ e ati. Ai ashtë Zoti Perëndia ynë, mbë gjithë dhenë janë gjyqet’ e ati. Përmendni përherë dhiaten’ e ati, fjalënë qi porositi mbë nji mijë breza. Ate dhiatenë qi bani me Abrahaminë, edhe ben’ e ati qi bani tek Isaaku, edhe e vuni te Iakobi për urdhënë, edhe tek Israeli për dhiate të përherëshime
Psalmet 105:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve. Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij. Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin. Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij. Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij, ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij. Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën. Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij, besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut, që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme