Psalmet 105
105
1Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
2Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
3Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
4Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
5Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,
6ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
7Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
8Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
9besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,
10që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
11duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj",
12kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,
13dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.
14Ai nuk lejoi që t'i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,
15dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".
16Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.
17Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.
18I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.
19Fjala e Zotit e vuri në provë, derisa u plotësua ajo që kishte thënë.
20Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,
21dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,
22për t'i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t'u mësuar pleqve të tij diturinë.
23Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.
24Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.
25Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.
26Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.
27Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.
28Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.
29I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.
30Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.
31Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.
32U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;
33goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.
34Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,
35që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.
36Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;
37dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.
38Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.
39Ai shpalosi një re për t'i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t'i ndriçuar natën.
40Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.
41Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shkretëtirë si një lumë.
42Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;
43pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,
44dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,
45me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t'u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.
Aktualisht i përzgjedhur:
Psalmet 105: ALBB
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr