Psalmet 103:1-14
Psalmet 103:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Bekoje ZOTIN, o shpirti im, dhe gjithë qenia ime emrin e tij të shenjtë. Bekoje ZOTIN, o shpirti im, dhe mos i harro bamirësitë e tij. Ai fal tërë paudhësitë e tua, ai shëron tërë sëmundjet e tua. Ta shpëton jetën prej varrit, të kurorëzon me mirësi e dhembshuri. Ai ta mbush jetën me të mira, ai të rinon si shqiponjën. ZOTI bën vepra të drejta, u jep drejtësi të shtypurve. Udhët e tij ia dëftoi Moisiut, veprat e tij bijve të Izraelit. ZOTI është i dhembshur e i mëshirshëm, i duruar e plot mirësi. Nuk padit përgjithmonë, as mban mëri përjetë. Nuk na trajton sipas mëkateve tona, as na shpaguan sipas paudhësive tona. Sa lart është qielli nga toka, aq e madhe është mirësia e tij për ata që e druajnë. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq i largon prej nesh paudhësitë tona. Siç i dhimbsen bijtë një ati, ashtu i dhimbsen ZOTIT ata që e druajnë. Se ai e di si jemi krijuar, nuk harron që jemi pluhur.
Psalmet 103:1-14 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Beko Zotinë, o shpirti em, edhe gjithë të përmbrendëshimet’ e mia, emënin’ e ati të shenjtënueminë. Beko Zotinë, o shpirti em, edhe mos harro gjithë të mirate, qi të ka dhanë, ate qi fal gjithë paudhënit’ e tua, ate qi shëndosh gjithë sëmundëjet’ e tua, ate qi shpërblen jetënë tande prei prishëjesë; ate qi të kunorëzon me ndëjesë e me përdëllime, ai qi ngin dëshëriminë tand me të mira; dielmënia jote do të përtërihetë porsi e shqipesë. Zoti u ban dreitëni e gjyq gjith’ atyneve qi u bahetë pa-udhë. I diftoi udhët’ e veta Moiseut, edhe punët’ e veta të bijvet Israelit. Zoti asht’ i dhimpshim e i përdëllyeshim, zemërëgjan’ e përdëllim-math. S’ka me u zemëruem përherë, as s’ka me mbaitunë mëni për gjithë jetënë. Nukë na e bani mbas pa-udhënivet t’ona, as na e shpagoi mbas fajevet t’anë. Se sa i naltë ashtë qielli prei dheut, kaqi i math ashtë përdëllim’ i ati mb’ata qi e kanë frikë. Sa dan të lemit’ e diellit prei të perënduemit, kaqi largoi prei nesh paudhënitë t’ona. Sikurse i dhimbet atit për dielmt, kështu i dhimbet’ edhe Zotit për ata qi e kanë frikë. Se ai ngjef krijesënë t’onë, e mba mend se jemi baltë.
Psalmet 103:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja. Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve. Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij. Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë. Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. Sepse sa të lartë janë qiejt mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona. Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.