Filipianëve 4:6-14
Filipianëve 4:6-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Mos u shqetësoni për asgjë, por për çdo gjë drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë me lutje, me përgjërime e me falënderime. Paqja e Perëndisë, që shkon përtej zgjuarsisë së mendjes njerëzore, do të ruajë zemrat dhe mendimet tuaja, që të jenë pranë Krishtit Jezu. Së fundi, vëllezër, kini në mendje të gjitha sa janë të vërteta, sa janë të ndershme, sa janë të drejta, sa janë të dëlira, sa janë të dashura, të gjitha sa kanë emër të mirë, sa janë të virtytshme dhe sa janë të denja për t'u lavdëruar. Bëni gjithçka që keni mësuar e keni marrë prej meje dhe që keni dëgjuar e keni parë në mua. Perëndia i paqes do të jetë me ju. U gëzova shumë në Zotin që tani më në fund e rigjallëruat përkujdesjen tuaj për mua. Në të vërtetë ju e kishit në mendje, por nuk ju ishte dhënë rasti ta tregonit. Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë kam mësuar të jem i kënaqur në çdo rrethanë. Unë e di çfarë do të thotë të jesh në nevojë dhe e di çfarë do të thotë të kesh me tepri. Në çdo rrethanë e në çdo gjë jam mësuar edhe të jem i ngopur, edhe të kem uri; edhe të kem me tepri, edhe të jem në nevojë. Unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon. Megjithatë, ju bëtë mirë që m'u gjendët pranë në vështirësitë e mia.
Filipianëve 4:6-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus. Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni. Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju. Dhe u gëzova shumë në Zotin, sepse më në fund kujdesi juaj për mua u rigjallërua; në realitet ju edhe e kishit në mendje, por nuk kishit rast. Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam. Unë di të jem i përulur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon. Po ju bëtë mirë që morët pjesë në pikëllimin tim.