Filipianëve 4:6-14
Mos u shqetësoni për asgjë, por për çdo gjë drejtojani kërkesat tuaja Perëndisë me lutje, me përgjërime e me falënderime. Paqja e Perëndisë, që shkon përtej zgjuarsisë së mendjes njerëzore, do të ruajë zemrat dhe mendimet tuaja, që të jenë pranë Krishtit Jezu. Së fundi, vëllezër, kini në mendje të gjitha sa janë të vërteta, sa janë të ndershme, sa janë të drejta, sa janë të dëlira, sa janë të dashura, të gjitha sa kanë emër të mirë, sa janë të virtytshme dhe sa janë të denja për t'u lavdëruar. Bëni gjithçka që keni mësuar e keni marrë prej meje dhe që keni dëgjuar e keni parë në mua. Perëndia i paqes do të jetë me ju. U gëzova shumë në Zotin që tani më në fund e rigjallëruat përkujdesjen tuaj për mua. Në të vërtetë ju e kishit në mendje, por nuk ju ishte dhënë rasti ta tregonit. Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë kam mësuar të jem i kënaqur në çdo rrethanë. Unë e di çfarë do të thotë të jesh në nevojë dhe e di çfarë do të thotë të kesh me tepri. Në çdo rrethanë e në çdo gjë jam mësuar edhe të jem i ngopur, edhe të kem uri; edhe të kem me tepri, edhe të jem në nevojë. Unë mund të bëj gjithçka përmes Krishtit që më forcon. Megjithatë, ju bëtë mirë që m'u gjendët pranë në vështirësitë e mia.
Filipianëve 4:6-14