Marku 7:8-13
Marku 7:8-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ju lini pas dore urdhërimin e Perëndisë për t'iu përmbajtur traditës së njerëzve». Dhe u tha: «Ju shpërfillni pa të keq urdhërimin e Perëndisë, për të mbajtur traditën tuaj. Në të vërtetë Moisiu ka thënë: ndero atin tënd e nënën tënde dhe kush flet keq për të atin e të ëmën, të dënohet me vdekje. Por ju thoni: “Nëse dikush i thotë të atit apo të ëmës se ndihmën që do t'ju jepja po e bëj korban, ‘që do të thotë dhuratë për Perëndinë’, atëherë ai është i çliruar nga detyrimi për të ndihmuar të atin apo të ëmën”. Kështu, ju shfuqizoni fjalën e Perëndisë me anë të traditës që keni trashëguar. Ju bëni edhe shumë gjëra të ngjashme me këto».
Marku 7:8-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme''. U tha atyre akoma: ''Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj. E në fakt Moisiu tha: "Ndero atin tënd dhe nënën tënde", dhe: "Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje". Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë", nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet, duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme''.