Mikea 7:1-10
Mikea 7:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Mjerë unë! U bëra si korrësi i të korrave, si vjelësi i rrushit, ku s'ka rrush për të ngrënë e as fiq që m'i ka ënda. U zhduk besëtari nga toka, s'ka më të drejtë mes njerëzve. Të gjithë ngrenë pritë për gjak, zënë njëri-tjetrin me rrjeta. Mirë u punojnë duart për keq, princi kërkon, gjykatësi merr mitë, i forti flet si ia ka ënda, e ata bashkë thurin mbrapshti. Mirësia e tyre porsi driza, drejtësia më keq se shkurre ferrash. Mbërriti dita e ndëshkimit që rojat shpallën, tani do të pështjellohen. Mos i zini besë mikut, as mos kini shpresë tek i afërti. Ruaj se hap gojën para gruas që të shtrihet në gji. Se biri e shpërfill të atin, bija ngrihet kundër të ëmës, nusja kundër vjehrrës, armiqtë e njeriut janë njerëzit e shtëpisë. Por unë nga ZOTI do të vështroj, do të pres për Perëndinë, shpëtimtarin tim. Perëndia im do të më dëgjojë. Mos u ngazëllo për mua, o armikja ime, se ndonëse rashë, u ngrita, ndonëse rri në errësirë, ZOTI është drita ime. Do ta duroj zemërimin e ZOTIT, se kundër tij mëkatova, derisa ta gjykojë çështjen time, e të më shpallë të drejtë. Ai do të më nxjerrë në dritë e drejtësinë e tij do të vëzhgoj. Armikja do të më shohë e turpi do ta zërë, atë që më tha: “Ku është ZOTI, Perëndia yt?”. Sytë e mi do ta shohin, kur me këmbë do të shtypet, porsi balta rrugëve.
Mikea 7:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mjerë unë! Sepse jam si ata që vjelin frutat e verës, si ata që mbledhin rrushin e vitit: nuk ka asnjë vile për të ngrënë, shpirti im dëshiron një fik të parë. Njeriu i përshpirtshëm është zhdukur nga dheu, midis njerëzve nuk ka më njerëz të ndershëm; të tërë rrinë në pritë për të derdhur gjak, secili gjuan vëllanë e vet me rrjetë. Të dy duart e tyre janë të shtrira për të bërë të keq me zotësi; princi pretendon, gjyqtari kërkon shpërblime, i madhi shfaq lakminë e tij; kështu bashkërisht e prishin drejtësinë. Më i miri i tyre është si një ferrishte, më i ndershmi është më i keq se një gardh ferrash. Dita e dënimit tënd po vjen; tani do të jetë pështjellimi i tyre. Mos e besoni shokun, mos i zini besë mikut të ngushtë; ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd. Sepse biri turpëron të atin, bija ngre krye kundër nënës, e reja kundër vjehrrës, armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij. Por unë do të shikoj te Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë. Mos u gëzo me mua, o armikja ime! Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri; në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime. Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër tij, derisa ai do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua; ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e tij. Atëherë armikja ime do ta shohë dhe do të mbulohet me turp, ajo që më thoshte: "Ku është Zoti, Perëndia yt?". Sytë e mi do ta shikojnë me ëndje, ndërsa do ta shkelin si baltën e rrugëve.