«Mjerë unë!
U bëra si korrësi i të korrave,
si vjelësi i rrushit,
ku s'ka rrush për të ngrënë
e as fiq që m'i ka ënda.
U zhduk besëtari nga toka,
s'ka më të drejtë mes njerëzve.
Të gjithë ngrenë pritë për gjak,
zënë njëri-tjetrin me rrjeta.
Mirë u punojnë duart për keq,
princi kërkon, gjykatësi merr mitë,
i forti flet si ia ka ënda,
e ata bashkë thurin mbrapshti.
Mirësia e tyre porsi driza,
drejtësia më keq se shkurre ferrash.
Mbërriti dita e ndëshkimit që rojat shpallën,
tani do të pështjellohen.
Mos i zini besë mikut,
as mos kini shpresë tek i afërti.
Ruaj se hap gojën
para gruas që të shtrihet në gji.
Se biri e shpërfill të atin,
bija ngrihet kundër të ëmës,
nusja kundër vjehrrës,
armiqtë e njeriut janë njerëzit e shtëpisë.
Por unë nga ZOTI do të vështroj,
do të pres për Perëndinë, shpëtimtarin tim.
Perëndia im do të më dëgjojë.
Mos u ngazëllo për mua, o armikja ime,
se ndonëse rashë, u ngrita,
ndonëse rri në errësirë,
ZOTI është drita ime.
Do ta duroj zemërimin e ZOTIT,
se kundër tij mëkatova,
derisa ta gjykojë çështjen time,
e të më shpallë të drejtë.
Ai do të më nxjerrë në dritë
e drejtësinë e tij do të vëzhgoj.
Armikja do të më shohë
e turpi do ta zërë,
atë që më tha:
“Ku është ZOTI, Perëndia yt?”.
Sytë e mi do ta shohin,
kur me këmbë do të shtypet,
porsi balta rrugëve.