Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 7:15-29

Mateu 7:15-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë. Ata do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet rrush nga ferrat apo fiq nga murrizat? Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, ndërsa pema e kalbur jep fryte të këqija. Pema e mirë nuk mund të japë fryte të këqija dhe as pema e kalbur nuk jep fryte të mira. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr. Kështu, pra, prej fryteve të tyre do t'i njihni». «Jo kushdo që më thotë: “O Zot, o Zot!”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. Atë ditë shumë veta do të më thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd? A nuk dëbuam djajtë në emrin tënd? A nuk bëmë mrekulli në emrin tënd?”. Atëherë do t'u them: “Kurrë nuk ju kam njohur, largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi”». «Kushdo që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë në shkëmb. Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat dhe u vërsulën kundër kësaj shtëpie, por ajo nuk u shemb, sepse i kishte themelet në shkëmb. Kushdo që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të pamend që e ka ndërtuar shtëpinë në rërë. Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat e u vërsulën kundër kësaj shtëpie, dhe ajo u shemb. I madh qe shkatërrimi i saj». Dhe kur Jezui mbaroi së foluri, turmat mbetën të habitura nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit.

Mateu 7:15-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë. Ju do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat? Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija. Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira. Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr. Ju, pra, do t'i njihni profetët nga frytet e tyre. Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?". Dhe atëherë unë do t'u sqaroj atyre: "Unë s'ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi". Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh''. Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.