Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 7

7
Mos e gjyko tjetrin
(Lk 6.37-38, 41-42)
1«Mos gjykoni, që të mos gjykoheni, 2sepse siç gjykoni, do të gjykoheni, dhe me masën që do të matni, do të mateni. 3Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 4Dhe si mund t'i thuash vëllait tënd “më lër të ta heq ashklën nga syri” kur ke traun në syrin tënd? 5Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd.
6Mos u jepni qenve gjërat e shenjta e mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin e pastaj të kthehen kundër jush e t'ju shqyejnë».
Lypni, kërkoni, trokitni
(Lk 11.9-13)
7«Lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, 8sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. 9Kush prej jush do t'i jepte gur fëmijës së vet po t'i kërkonte bukë? 10Ose, do t'i jepte gjarpër po t'i kërkonte peshk? 11Nëse ju, që jeni të këqij dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.
12Bëjuni të tjerëve gjithçka dëshironi t'ju bëjnë juve. Në këtë përmblidhen ligji e profetët».
Dera e ngushtë
(Lk 13.24)
13«Hyni nëpër derën e ngushtë, se e madhe është dera dhe e gjerë është udha që çon në humbje e të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të. 14Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë».
Pema dhe frytet
(Lk 6.43-44)
15«Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë. 16Ata do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet rrush nga ferrat apo fiq nga murrizat? 17Kështu, çdo pemë e mirë jep fryte të mira, ndërsa pema e kalbur jep fryte të këqija. 18Pema e mirë nuk mund të japë fryte të këqija dhe as pema e kalbur nuk jep fryte të mira. 19Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet e hidhet në zjarr. 20Kështu, pra, prej fryteve të tyre do t'i njihni».
Nuk ju kam njohur
(Lk 13.25-27)
21«Jo kushdo që më thotë: “O Zot, o Zot!”, do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej. 22Atë ditë shumë veta do të më thonë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd? A nuk dëbuam djajtë në emrin tënd? A nuk bëmë mrekulli në emrin tënd?”. 23Atëherë do t'u them: “Kurrë nuk ju kam njohur, largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi”».
Dy shtëpitë
(Lk 6.47-49)
24«Kushdo që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë në shkëmb. 25Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat dhe u vërsulën kundër kësaj shtëpie, por ajo nuk u shemb, sepse i kishte themelet në shkëmb. 26Kushdo që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu të pamend që e ka ndërtuar shtëpinë në rërë. 27Ra shi, erdhën përrenjtë, frynë erërat e u vërsulën kundër kësaj shtëpie, dhe ajo u shemb. I madh qe shkatërrimi i saj».
28Dhe kur Jezui mbaroi së foluri, turmat mbetën të habitura nga mësimi i tij, 29se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë