Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 7:1-15

Mateu 7:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Mos gjykoni, që të mos gjykoheni, sepse siç gjykoni, do të gjykoheni, dhe me masën që do të matni, do të mateni. Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? Dhe si mund t'i thuash vëllait tënd “më lër të ta heq ashklën nga syri” kur ke traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd. Mos u jepni qenve gjërat e shenjta e mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin e pastaj të kthehen kundër jush e t'ju shqyejnë». «Lypni e do t'ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t'ju hapet, sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t'i hapet. Kush prej jush do t'i jepte gur fëmijës së vet po t'i kërkonte bukë? Ose, do t'i jepte gjarpër po t'i kërkonte peshk? Nëse ju, që jeni të këqij dini t'u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë. Bëjuni të tjerëve gjithçka dëshironi t'ju bëjnë juve. Në këtë përmblidhen ligji e profetët». «Hyni nëpër derën e ngushtë, se e madhe është dera dhe e gjerë është udha që çon në humbje e të shumtë janë ata që kalojnë nëpër të. Por e ngushtë është dera dhe e ngushtë është udha që çon në jetë e të paktë janë ata që e gjejnë». «Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë.

Mateu 7:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Mos gjykoni, që të mos gjykoheni. Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t'ju masin të tjerët. Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd? Ose, si mund t'i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri", kur ke një tra në syrin tënd? O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd. Mos u jepni qenve ç'është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t'ju shqyejnë. Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t'i çelet atij që troket. A ka midis jush ndonjë njeri që, po t'i kërkojë i biri bukë, t'i japë një gur? Ose po t'i kërkojë një peshk, t'i japë një gjarpër? Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë. Gjithçka, pra, që ju dëshironi t'ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët. Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë! Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.

Mateu 7:1-15

Mateu 7:1-15 ALBBMateu 7:1-15 ALBB