Mateu 26:6-16
Mateu 26:6-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua që mbante një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme dhe e derdhi mbi kokën e tij. Kur e panë këtë gjë, dishepujt u zemëruan e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? Kjo mirrë mund të ishte shitur shtrenjtë e paratë t'u jepeshin të varfërve». Por Jezui e kuptoi se çfarë po thoshin e u tha: «Përse e mundoni këtë grua? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. Të varfrit i keni gjithmonë me ju, ndërsa mua nuk më keni gjithmonë. Ajo e derdhi këtë mirrë mbi trupin tim dhe këtë e bëri për të më përgatitur për varrim. Me të vërtetë po ju them se kudo të shpallet ky ungjill, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri». Atëherë, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë e u tha: «Çfarë do të më jepni po t'jua dorëzoj?». Ata i dhanë tridhjetë monedha argjendi. Që nga ai çast Juda kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.
Mateu 26:6-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrosit Simon, iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë. Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: ''Përse gjithë ky shpenzim i kotë? Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t'u jepeshin të varfërve''. Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: ''Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje. Sepse të varfrit do t'i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë. Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim. Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj''. Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjve, dhe u tha atyre: ''Sa do të më jepni që unë t'jua dorëzoj?''. Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi. Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.